Kukës, nis zbatimi i projektit të rikonstruksionit të stadiumit

Projekti i stadiumit të ri të Kukësit “Zeqir Ymeri”, ka nisur zbatimin dhe punimet po vijojnë me ritme të larta.
Bashkia e Kukësit ka bërë të ditur se fusha dhe i gjithë impianti janë shndërruar në një kantier ndërtimi, ku çdo ditë makineritë e rënda kryejnë volume të mëdha pune siç është zgjerimi i fushës aktuale, hapja e kanalizimeve dhe heqja e drenazhimeve aktuale.
Edhe tapeti i konsumuar tashmë nuk gjendet në fushë, por me të pritet të bëhet një aneks ndihmës për stërvitjen e ekipeve të moshave.
Specialistët vlerësojnë, se punimet janë në parametrat e duhura dhe në ditët në vijim do ketë shtim të fronteve të punës.
Stadiumi “Zeqir Ymeri” nuk plotësonte kushtet minimale për të zhvilluar ndeshje edhe për kampionatin kombëtar. Gjithsesi ky rikonstruksion i këtij stadiumi, do të përfshijë shtimin e tribunës, mbulimin e saj, rikthimin e fushës me bar natyral dhe në përmasat standarde, gjithashtu do të ketë ndriçim për të zhvilluar ndeshjet në orari e mbrëmjes.
Stadiumi është një investim prej afro 5 milionë eurosh dhënë nga qeveria shqiptare dhe FSHF-ja, që do ketë një kapacitet prej 8 mijë shikuesish dhe në të do të luhen përveç kompeticioneve kombëtare dhe ndeshjet e Kupave të Europës.
Para pak ditësh, teksa inauguroi fillimin e punimeve kryebashkiaku i ri i Kukësit, Safet Gjici tha se punimet do të ndiqen ditë për ditë për të parë cilësinë dhe sasinë e punës që bëhet, në mënyrë që punimet të mbyllen më shpejt se 15 muaj, afat i përcaktuar në projekt në mënyrë që kampionati i ardhshëm të nisë në stadiumin e ri.