Deputeti demokrat ironizon Kuvendin e Bashës: Qenkemi lodhur kot për ta bërë kryeministër

Deputeti demokrat, Dashnor Sula, ka ironizuar mbledhjen e sotme të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga Lulzim Basha.
Nëpërmjet një postimi në rrejtet sociale, Sula ironizon faktin që Basha u zgjodh edhe kryetar i grupit parlametar, teksa shprehet se “deputetët janë lodhur kot për ta bërë kryeministër”.
“Prandaj spaska ardhur PD në pushtet sepse ish-kryetari paska dashur të bëhet kryetar grupi. Ndarja nga e kaluara dhe demokratizimi i partisë domethënë paska qenë përqendrimi i pushteteve te një individ?! Asnjëherë nuk e humb mundësinë për t’u bërë qesharak sa herë që del në publik.
-Ne paskemi qenë lodhur kot për ta bërë kryeministër, ai dashka vetëm Kryetar Grupi.
-Si ka mundësi që i vetëshpalluri lider perëndimor kërkon kufizim te mandatit te kreut të qeverisë por këtë praktik nuk e nis nga kryetari i partisë, madje e shmang nga çdo përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve.
Mbi një vit i shkëputur nga politika aktive duket se e paska shpenzuar për relaksim të thellë dhe kurrësesi për PD dhe demokratët”, shkruan Sula.