Ish-zyrtari i CIA-s këmbëngul për shkëmbim territoresh, e di që Amerika s’e pranon

Steven Meyer, ish-zëvendësi i shefit të CIA-s për Ballkanin, që njihet si njohës i mirë i rajonit, ka dhënë versionin e tij se si duhet të arrihet marrëveshja Kosova – Serbi. Sipas tij, Veriu duhet t’i takojë Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës dhe Republika Srpska duhet të nxirren më vonë në tavolinë. Por, Meyer, megjithatë, thekson se Amerikës nuk i konvenon kjo zgjidhje.

Në një intervistë për të përjavshmen “NIN”, Meyer që ka 23 vjet përvojë pune në CIA, ku ka qenë zëvendësshef i grupit punues për Ballkan në periudhën e luftës në Bosnjë, konsideron se Serbia dhe Kosova duhet të bëjë koncesione dhe që Fuqitë e Mëdha të mos përzihen fare.

“Marrëveshja e Brukselit ka vdekur dhe nëse Beogradi dhe Prishtina duan përparim duhet qartë t’i porosisin Fuqitë e Mëdha që të mos përzihen”, ka thënë Meyer. Ai ka theksuar se Kosova në një mënyrë tashmë është konflikt i ngrirë.

Sipas tij, zgjidhje është ndarja e Kosovës, pjesa veriore e së cilës duhet t’i jepet Serbisë.

“Mendoj se me marrëveshjen përfundimtare, rajoni në veri të Ibrit duhet t’i takojë Serbisë. mendoj se Serbia do ta ketë ekstremisht të vështirë, nëse jo edhe të pamundur, që ta kthejë pjesën tjetër të Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Meyer për NIN.

Ai, po ashtu, vlerëson se Kombet e Bashkuara duhet të kujdesen për shpërnguljen e serbëve nga pjesët në jug të Ibrit nëse duan që ata të mos jetojnë nën pushtetin e Kosovës, si dhe të kujdesen edhe për mbrojtjen e manastireve.

Ai thotë se nëse ngrihet çështja e pjesës veriore Lugina e Preshevës duhet të jetë po ashtu temë, e më vonë edhe Republika Srpska.

Meyer thotë se nëse Beogradi dhe Prishtina merren vesh, kjo në fund do ta kënaqë Bashkimin Evropian, e nëse Washingtoni do ta respektojë këtë vendim, atëherë këtë do ta bëjë edhe Moska dhe anasjelltas.

Ai, megjithatë, thekson se Amerikës nuk do t’i konvenojë marrëveshja për ndryshimin e kufijve sepse Washington deklaron se kjo çon në luftë, e sipas tashmë dihet se qe dy dekada SHBA-ja në Kosovë ka 2 dekada që i tërheq penjtë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT