Memoriali turk ndërtohet në Tiranë, miliarda investime çohen në Serbi

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 gusht, raporton agjencia e lajmeve Tanjug. Erdogan do të pritet nga Aleksandar Vuçiç dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të Serbisë.
Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit turk në Serbi lidhet me nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë. Projekti kap shifrën e 3 miliardë eurove dhe punimet kryhen nga kompania turke, Tasyapi. Vetë Turqia financon një pjesë të konsiderueshme të autostradës.
Serbia i ka dhënë viteve të fundit rëndësi të madhe ndërtimit të autostradave që e lidhin me korridoret evropiane, siç është ky projekt i fundit. Me autostradën drejt Sarajevës, Serbia do të lidhet me korridorin 5 që nis në Bosnje-Hercegovinë, për të kaluar në Kroaci dhe për të përfunduar në Hungari.
Sa i përket vizitës së Erdoganit, presidenti i Turqisë ka qenë për herë të fundit në shtetin serb në tetor të 2017-ës, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike midis Ankarasë dhe Beogradit kanë njohur rritje të konsiderushme.
Kjo vizitë ndodh në kohën kur në vendin tonë është një tjeter debat: Ai për memorialin turk kushtuar viktimave të grushtit të shtetit në Turqi. Shumë intelektualë në vend kanë kundershtuar ngritjen e këtij memoriali pasi ngjarja e Stambollit nuk ka asnjë lidhje me Tiranën.
