Meta: Një pjesë e faktorit ndërkombëtar është sjellë në mënyrë helmuese me Shqipërinë

Gjatë gjithë gushtit, Presidenti Meta ka qenë aktiv në rrjetet sociale, duke kritikuar të dy palët, si shumicën, ashtu edhe opozitën. Në intervistën e dhënë për A2, Presidenti këmbëngul se zgjidhja do të vijë përmes zgjedhjeve të 13 tetorit, pavarësisht se palët janë diametralisht larg në qëndrimet e tyre.

“I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për zgjidhjen e krizës për fat të keq është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës. Më vjen shumë keq, si për maxhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend të tregonte përgjegjësi ka bërë të kundërtën. Ashtu sikurse opozita, me listën e dëshirave të pafundme, që shpesh dalin jashtë realitetit, e ka bërë të pamundur përfshirjen në institucione”, u shpreh Meta për A2.

Siç ka bërë në disa raste, Presidenti kritikoi përsëri edhe ndërkombëtarët, disa prej të cilëve, sipas tij, nuk kanë ndihmuar Shqipërinë në realizimin e objektivave të saj.

“Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme, tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut që Shqipëria të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE dhe që duhet ta ndihmojnë Shqipërinë të çelë me negociatat me BE”, tha Presidenti.

“Për fat të keq, Presidenti, edhe pse është ndjerë i vetëm, ka qenë i qartë dhe i vendosur për t’ia kursyer Shqipërisë një shëmti si farsa e 30 qershorit, që mund të jetë edhe një burim sanksionesh nga organizatat ekzistuese ku Shqipëria bën pjesë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT