Jo vetëm spanjollët, pronari i restorantit dhunoi një tjetër familje tri ditë më parë

Pas arrestimit të pronarit të restorantit në Porto Palermo të Himarës për dhunimin e turistëve spanjollë, detaje të tjera kanë dalë në dritë në lidhje me mënyrën e dhunshme se ai i sillej me vizitorët.
Sipas dëshmisë së një tjetër vizitori në restorantin në Porto Palermo, ata ishin dhunuar nga Mihal Kokëdhima tri ditë më parë vetëm se kishin shkuar për t’u larë në detin që ndodhet pak metra larg biznesit të tij, por që trajtohet si plazh privat.
Ai tregon se ishin ulur në plazh dhe po prisnin që të vinte kamarieri që të jepnin porosinë ose pagesën, por aty u vjen pronari i restorantit dhe ia hedh nënën nga shezlongu duke i fyer.
“U ulëm pranë një çadre duke pritur kamarierin për të paguar lekët dhe të jepnim porosinë, por na erdhi pronari i restorantit aty pranë dhe fillimisht hodhin nënën time nga shezlongu bashkë me peshqirin dhe sendet e saj pastaj filloi të na bërtase dhe ulerasë. U trembëm shumë, megjithëse mund t’i përgjigjesha, por isha me familjen”, tregon vizitori për eksperiencën në këtë restorant.
Turistët theksojnë në platforma të ndryshme online në lidhje me turizmin agresivitetin e pronarit të restorantit si edhe mungesën e çmimeve dhe faturat tepër të kripura për peshkun, i cili jepet pa peshë dhe çmim fillestar sipas tyre.
Mihal Kokëdhima u arrestua nga policia pasi rrahu pesë turistët spanjollë që kishin shkuar për të ngrënë në restorantin e tij. Pas vonimit të porosisë ata kishin tentuar të largohen prej shërbimit të keq, por u përballen me dhunën e pronarit të restorantit, i cili u nxorri edhe thikën duke i kërcënuar.