Shqipëria e madhe, e heshtur, e përçmuar që këmben varfërinë me vdekjen

Atë reagim që duhej të vinte nga sindikata, institucione apo organizma të shoqërisë civile në Shqipëri e ka bërë lëvizja Vetëvendosje e Kosovës, dega e saj në Tiranë.
Bëhet fjalë për ngjarjen që tronditi kryeqytetin ditën e djeshme, ku 2 punëtorë të kompanisë së ndërtimit “Xhimi” humbën jetën, ndërsa 2 të tjerë morën lëndime të rënda, pasi ranë nga skela e shembur e një pallati që po rikonstruktohej.
Në një postim të publikuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, VV vëren se ndodhi të këtij lloji janë kthyer në normë, pasi nuk ka patur llogaridhënie nga institucionet përkatëse dhe ekzekutivi, “që ka si përgjegjësi direkte sigurinë e jetës dhe të kushteve të punës”.
Viktimat ishin dy burra, dy kryefamiljarë në moshën 31 dhe 36 vjeçare, ndërkohë që dy punëtorë të tjerë u plagosën rëndë në të njëjtën ngjarje dhe u shoqëruan në urgjencë.
Disa ditë më parë sollëm rastin e një gruaje që u mbyt në përpjekjen për të shpëtuar mundin që i siguronte mbijetesën.
Shqipëria e madhe e shumicës së varfër, të heshtur, të përçmuar, na jep përditë sinjale SOS nga fshatrat e harruar, minierat e së fundmi në qendër të Tiranës
I bashkohemi VV në ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy punëtorëve të vdekur, dhe ndjenjat më të ngrohta për dy të tjerët që ende janë të shtruar në spital, duke uruar për shërimin sa më të shpejtë të tyre.
Jemi të prekur thellë që kjo situatë nuk i takon një rasti të jashtëzakonshëm, por ështe kthyer në një gjendje normale.
Numri i punëtorëve që kanë humbur jeten në vendin e punës është tronditës, por tronditja nuk ka cekur asnjëherë edhe institucionet përkatëse, as pjesën e ekzekutivit qe e ka si përgjegjësi direkte sigurinë e jetës dhe të kushteve të punës.
Punëtorët në ndërtim apo miniera po humbin jetën, por interesat e atyre që e mbajnë këtë gjendje nuk preken.
Situata nuk ka për të ndryshuar pa u vendosur para drejtësisë personat përgjegjës, ato kompani që shkelin të drejtat bazë të punëtorëve si dhe ata përfaqësues institucionesh që nuk marrin masa për të mbrojtur punëtorët.
Për një pakicë, postet dhe privilegjet janë të patjetërsueshme, ndërkohë që po rritet numri i njerëzve të shfrytëzuar brutalisht të cilët kanë të trashëgueshme vetëm të drejtën e tyre të shkëmbejnë varfërinë me vdekjen.
Ndryshimi nënkupton një tjetër model qeverisës që i mbron punëtorët përmes shtetit të së drejtës dhe shtetit social, që jetën dhe të drejtat e punëtorëve e vendos përmbi çdo interes financiar.