Merr fund përplasja tregtare, Shkupi e Prishtina zotohen për heqjen e tarifave

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi janë takuar në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje mbi përplasjet tregtare të muajve të fundit.

Dy vendet kanë vendosur tarifa të ndërsjella ndaj disa produkteve specifike duke shkaktuar humbje të mëdha në ekonomi.

Ministri Bekteshi sqaroi për mediat se masat janë ndërmarrë vetëm në funksion të sigurimit të cilësisë dhe zbatimit të kushteve të vendosura nga BE.

“Masa nuk është e ndërmarrë vetëm ndaj Republikës së Kosovës por është një masë ndaj të gjitha shteteve që nuk e implementojnë monitorimin aktiv ose pasiv sa i përket produkteve të peshkut, vezëve të peshkut. Nga viti i kaluar si Qeveri kemi njoftuar institucionet e vendeve fqinje për të filluar implementimin e këtij programi me të vetmin qëllim që duke impelementuar atë ne mund të aplikojmë dhe të eksportojmë produktet tona në BE”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa ministri kosovar premtoi se brenda së premtes tarifat do të hiqen.

“Jemi dakorduar që deri në fund të javës agjencioni ynë t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj agjencioni i Maqedonisë së Veriut ta heqë atë barrierë ndaj Republikës së Kosovës. Parimisht u dakorduam për këta hapa. Në rastin kur të përfundohet kjo do të eliminohet masa nga ne si Ministri e Tregtisë po edhe barriera që po iu shfaqet biznese tona në Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Endrit Shala, ministër në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.

Përplasja tregtare mes Shkupit dhe Prishtinës nisi kur Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut me arsyetimin se agjencia kosovare e ushqimit nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane.

Më pas, Kosova reagoi duke bllokuar importin e patates dhe mjaltit. Maqedonia e veriut eksporton çdo vit ne Kosovë rreth 1000 ton patate.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT