“Serbia donte të fillonte lufta të dielën”, Albin Kurti: S’përjashtohet një sulm i ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Al Jazeera”, ka thënë se sulmi terrorist në Veri të Kosovës nuk ishte rezistencë civile apo rezistencë e bandave, por sulm i “formacioneve të armatosura paraushtarake të pajisura dhe përgatitur nga Beogradi” dhe që “u krye me urdhër të Serbisë”.
I pyetur nëse autoritet e Kosovës kanë informacione nga inteligjenca për ndonjë sulm të ri, Kurti theksoi se ka shumë informacione dhe se këto grupe të armatosura, të cilave “Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe po përgatiten për luftë”.
“Nuk përjashtohet ri-agresioni”, tha ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.
Tutje, kreu i ekzekutivit kosovar akuzoi Beogradin dhe grupet terroriste se duan që të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.
Kurti ka potencuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç – i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Veri të Kosovës – janë “Slobodan Millosheviç dhe Zheljko Raznatoviq ‘Arkan’”.
Këta, sipas kryeministrit “dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet e 90-ta”, teksa shtoi se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Wagner, duke i quajtur Vuçiç-in dhe Radoiçiç-in “[Vladimir] Putin dhe Prigozhin”.
Ndërkaq, ai akuzoi presidentin serb se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.
“Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, pohoi.