SKANDAL/ Kanadezja akuzon ushtarin shqiptar për sulm seksual gjatë misionit të NATO-s, në Letoni

Një skandal ka përfshirë NATO-n, pasi një pjesëtare e stafit civil të Forcave Kanadeze pretendon se është sulmuar seksualisht nga një ushtar shqiptar.
Lajmi është bërë i ditur nga mediat kanadeze, të cilat raportojnë se sipas Kristen Adams, sulmi ka ndodhur në kampin Adazi në Letoni.
Raportet dhe dokumentet e policisë ushtarake kanadeze vunë në dukje se Adams u sulmua seksualisht kur një ushtar shqiptar (identiteti i të cilit nuk bëhet publike) i cili i kapi asaj gjoksin më 3 dhjetor 2022.
Adams e raportoi incidentin në policinë ushtarake kanadeze në kamp pak pasi ndodhi. Ajo tha se ishte duke punuar në mensën e njohur si Commons, kur pa një ushtar shqiptar, të cilin e njihte. Të dy janë përshëndetur, por më pas shqiptari i kapi gjoksin e majtë, duke i thënë: “Oh, ti je shumë e fortë”.
Adams, e cila më parë ka punuar me kontratë në Mbrojtjen Kombëtare në Garrison Petawawa, ishte punësuar nga Shërbimet e Morales dhe Mirëqenies së Forcave Kanadeze (CFMWS), një organizatë që punon në emër të shefit të mbrojtjes për të ofruar programe dhe shërbime për anëtarët ushtarakë në bazat e NATO-s.
Në një letër përgjigje të 10 majit 2023 nga CFMWS i shkruante Adams se ajo duhet të kishte kuptuar se mund të përballej edhe me rreziqe të tillë kur pranoi punën në mbështetje të misionit ushtarak të Kanadasë në Letoni.
“Siç u informuat gjatë trajnimit para-vendosjes, i cili ndodhi nga 6 deri më 15 shtator 2022, ka rreziqe të përfshira në vendosjen në një bazë operacionesh ku shumë vende punojnë dhe jetojnë së bashku dhe ku ekzistojnë dallime kulturore. Si rezultat, duke pranuar të dislokoheni në këtë mjedis, ju po merrni përsipër një rrezik të caktuar për të punuar“, shkruante Ben Ouellette, nënkryetar i grupit të programeve të mbështetjes së personelit të CFMWS në letër përgjigjen drejtuar Adams pas denoncimit të saj se ishte përballur me abuzim seksual në këtë bazë.
Adams tha se ishte e neveritur nga përgjigja.
“Që kur është konsideruar sulmi seksual si pjesë e dallimeve kulturore apo pjesë e një përshkrimi të punës? Ai po ma vë fajin mua duke pretenduar se duhet ta kisha ditur se mund të sulmohesha seksualisht në vendin tij të punës”- tha ajo.
Adams beson se ushtria kanadeze dhe CFMWS po përpiqen ta fshehin incidentin.
“Ata nuk duan që asgjë të shkaktojë siklet për misionin e Letonisë. E gjitha ka të bëjë me mbrojtjen e misionit“, tha ajo.
Policia ushtarake kanadeze i tha Adams se, sipas rregullave të NATO-s, ata nuk kishin juridiksion për të hetuar edhe pse incidenti ndodhi në një strukturë kanadeze.
Policia ushtarake letoneze erdhi për të shqyrtuar rastin, por Adams theksoi se ata nuk intervistuan asnjë dëshmitar. Intervistat e bëra ishin vetëm me të dhe me ushtarin shqiptar, shtoi ajo. Më 14 dhjetor, policia ushtarake letoneze vendosi se nuk do të hetonte më tej.
“Nuk u dhanë detaje se pse hetimi ka përfunduar,” vunë në dukje dokumentet e policisë ushtarake kanadeze.