“Vendet ku fshihet Hamasi do i kthejmë në gërmadha”/ Lideri izraelit: Jemi para një lufte të gjatë

Për Izraelin po fillon një luftë të gjatë dhe të vështirë”, ky ishte paralajmërimi i kryeministrit Benjamin Netanyahu në lidhje me konflikti ne nisur me militantët palestinezë të Hamasit.
Në të njëjtën kohë ai thekson se përgjegjësia për këtë luftë i takon Hamasit, grupit terrosit që dje nisi sulme vdekjeprurëse në territorin izraelit. Faza e parë e luftës ka të bëjë me shfarosjen e forcave armike që depërtuan në Izrael dhe vranë civilë dhe ushtarë, shkruan kryeministri izraelit.
Netanyahu thotë se forcat e armatosura izraelite kanë nisur një sulm në Rripin e Gazës, i cili do të vazhdojë “i pandërprerë” dhe me vendosmëri “derisa të arrihen objektivat” e operacionit.
“Ne do të rivendosim sigurinë për qytetarët e Izraelit dhe do të fitojmë”, siguron kryeministri izraelit.
Duke e përshkruar Gazën si “qytetin e së keqes”, Benjamin Netanyahu tha dje: “Të gjitha këto vende ku fshihet Hamasi do t’i kthejmë në gërmadha. Unë u them banorëve të Gazës: Largohuni prej andej tani, sepse ne do të sulmojmë kudo me të gjitha forcat tona”, paralajmëroi kryeministri izraelit.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se kabineti i qeverisë Netanyahu ka dhënë dritën jeshile për sulme kundër objektivave ushtarake dhe administrative të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez në Rripin e Gazës.