Hamas kërcënon se do sulmojë një tjetër qytet të Izraelit: Banorët të largohen! Kanë kohë deri në orën 17.00

Hamasi ka kërcënuar në mënyrë specifike se do të sulmojë qytetin izraelit të Ashkelon në përgjigje të sulmeve të Izraelit në Gaza.
Një zëdhënës i Hamasit ka lëshuar ditën e sotme një paralajmërim për banorët e qytetit jugor izraelit të Ashkelon që të largohen nga qyteti para orës 17:00 me kohën lokale të Izraelit.
Në një postim në Telegram, Hamasi tha se banorët e qytetit, në veri të Rripit të Gazës, kanë kohë deri në orën 17:00 për t’u larguar, raporton BBC.
Më shumë se 4,500 raketa janë lëshuar tashmë nga Gaza në Izrael që nga e shtuna, kanë bërë të ditur ushtria izraelite.
Ditën e shtunë në mëngjes, grupi militant i Hamasit që sundon Rripin e Gazës kreu një sulm vdekjeprurës me shumë fronte në Izrael.
Ndërkohë Izraeli iu kundërpërgjigj me sulme ajrore ku ditën e dielë shpalli edhe zyrtarisht gjendjen e luftës.
Nga raportimet e derimëtanishme, mësohet se numri i viktimave ka kaluar 1700, ku mbi 150 prej tyre janë fëmijë: rreth 900 janë izraelitë dhe mbi 700 janë palestinezë në Gaza. Mijëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur./m.j