Daçiç: Prishtina nuk meriton një vend në Helsinki, por atë e ftoj Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka vendosur që ta ftojë edhe Republikën e Kosovës në takimin e fundit të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Helsinki në fund të këtij muaji. Përveç Kosovës, është ftuar edhe Bosnja e Hercegovina.

E një ftesë e tillë për Kosovën i ka penguar jashtëzakonisht shumë kreut të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i cili thotë se e gjitha kjo është një lojë e Mogherinit.

Ai se Federica Mogherini është detyruar që ta ndryshojë formatin e takimit vetëm për shkak të Kosovës.

“Në aspektin zyrtar kjo nuk do të cenojë pozicionin tonë parimor, pasi që do të theksohet vetëm emri i pjesëmarrësve pa shenja kombëtare. Në thelb, kjo ishte e panevojshme, sepse ka shumë takime në të cilat Kosova merr pjesë dhe që nuk ka nevojë”, ka thënë Daçiç, shkruan Blic.

Përveç tjerash kreu i diplomacisë serbe ka thënë se në këtë takim joformal në Helsinki nuk do të ketë mundësi që të diskutohet për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Atje nuk do të ketë dialog sepse takimet ndodhin çdo gjashtë muaj me ftesën e Presidencës së BE-së”, ka thënë ndër të tjera ai.

Pas kësaj ftese Daçiç thotë se Kosova nuk do të mund të thotë më që Mogherini s’ka bërë asgjë për Kosovën.

“ Prandaj ajo i ka ftuar. Më herët ajo i ftonte vetëm për dreka, ndërsa tani në takime zyrtare”, ka thënë Daçiç.

Në fund thotë se të gjithë këto janë lojëra që nuk sjellin ndonjë përfitim, por vetëm dëme politike.

Daçiç edhe ditë më parë kishte reaguar lidhur me ftesën që Mogherini i ka bërë Republikës së Kosovës. (TemA TV)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT