DOKUMENTI/ Zbardhet vendimi i GJKKO për Berishën, Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Bektashi

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
GJKKO ka caktuar mbrëmjen e djeshme detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për ish-kryeministrin Sali Berisha nën akuzën për korrupsion pasiv. Masa e sigurisë për ish-kryeministrin e vendit u dha në kuadër të hetimeve nga SPAK për privatizimin e kompleksit sportiv të klubit Partizani në kryeqytet.
Më herët dje në aeroportin e Rinasit dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua nga policia. Akuzat që rëndojnë ndaj dhëndrit të Berishës, janë korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale, ose veprimtari kriminale.
Nga ana tjetër siç shihet edhe në dokumente, ndërtuesi Fatmir Bektashi, ndaj të cilit u caktua masa ‘detyrim paraqitje’ akuzohet për të njëjtat vepra si Malltezi.
Dy vite më parë, Top Channel hidhte dritë mbi privatizimin e këtij kompleksi, duke nxjerrë në pah fakte të reja.
Në mars të vitit 2021, materiali i emisionit investigativ Inside Story, shkruante se një prej pronarëve kryesorë, me 35 % të aksioneve në kompleksin ‘Magnet’ është Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Pallatet nuk kanë lënë më asnjë gjurmë nga terrenet sportive. Hap pas hapi Malltezi, duke shfrytëzuar pushtetin e vjehrrit, zaptoi truallin në mënyrë abuzive.
Veç dokumenteve, në të cilat bazohet investigimi, janë marrë edhe dëshmi, siç është ish-Drejtori i Partizanit , Bujar Labinoti; ish-futbollisti i Partizanit, Ylli Shehu apo Isa Tare, Ish-Drejtori Shumësportëshi Partizani.
Në shkrimin investigativ të Inside Story theksohej se “Në vitet 1995-1999 familjet Begeja, Llagami, Alimehmeti, Vaqarri dhe Saliaga sigurojnë disa vendime për kthimin e truallit të lirë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronës. Çuditërisht, mes pretenduesve ishte edhe Jamarbër Malltezi, edhe pse nuk figuronte si aplikant i drejtpërdrejtë në Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai ishte një prej trashëgimtarëve të familjes Begeja, me 1/64-ën pjesë takuese, ose e thënë ndryshe pronar i 144 metër katror truall. Përmes kësaj hapësire të papërfillshme ai u fut në lojë.
Familjet pretenduese kishin shkuar në gjykatë për njohjen e pronës dhe çeljen e dëshmive të trashëgimisë. Pavarësisht përçapjeve, nuk kishin arritur dot ta merrnin fizikisht terrenin pasi ligji e pengonte. Në mbi 80 raste, janë iniciuar procese për privatizim të komplekseve sportive, por, pa sukses… Vite më vonë, për klubin Partizani do të ndiqeshin procedura të dyshimta.