Sali Berisha depoziton kërkesë për përjashtimin e gjyqtares së çështjes

Pas disa herësh që ka refuazuar për të marrë pjesë në seancën gjyqësore dhe pas disa akuzave që ka bërë në adresë të gjyqtares Irena Gjoka, Sali Berisha ka depozituar ditën e sotme zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e saj.
Bëhet me dije nga burimet për media se pala përfaqësuese e ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar sot në GJKKO kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të ish-kreut të qeverisë.
Në njoftimin zyrtar të GJKKO njoftohet se kërkesa i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares Flora Hajredinaj.
Njoftim i GJKKO:
Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.