“Prapaskenat” në GJKKO/ Si refuzuan avokatët të mbronin Berishën, Gjykata e kishte gati pasuesen

Teksa dy avokatët që ishin caktuar falas nga gjykata për Sali Berishën, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati hynë në SPAK dhe ishin nën vëmendjen e medias, një avokate e tretë u filmua nga gazetarja Anila Hoxha, duke hyrë qetësisht në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion.

Sikurse gazetarja e Top Channel raporton, Valentina Todoresku ishte pjesë e planit të Gjykatës, në rast se Cenalia dhe Kastrati do të hiqnin dorë nga mbrojtja e ish-kryeministrit. Në fakt, të dy e dhanë dorëheqjen dhe avokatja Valentina Todoresku, që ishte thirrur më herët nga GJKKO, u fut në sallë për të përfaqësuar Sali Berishën.

Njoftimi i Gjykatës:

– Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.

– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha./ Top Channel

Back to top button
LAJMET E FUNDIT