Dalja televizive e Argita Malltezit, shenjë se Berisha e ka dorëzuar stafetën?!

Argita Malltezi, vajza e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha zgjodhi të prezantohej dje në një dalje televizive me mbiemrin e bashkëshortit të saj. Jamarbër Malltezi ndodhet pas hekurave, për përfitime që SPAK thotë se kanë ardhur nga koha kur Berisha ishte kryeministër.
Pavarësisht se është vajza e njeriu që ka pasur më shumë pushtet se çdokush tjetër në këto 33 vite në Shqipëri, Argita zgjodhi të shfaqej në “Top Story” me mbiemrin e bashkëshortit dhe të atit ju referua si “Berisha”.
Prania në emisionin e ish-deputetes demokrate Grida Duma e çoi menjëherë në majat e audiencës televizive, sepse po fliste në një media ndikimin e së cilës e dinte, siç ajo vetë pohoi.
Për njohësit e politikës shqiptare, mesazhi që Argita dha ishte shumë i qartë, edhe përse ajo u shpreh se për momentin nuk kishte plan që të futej në politikë, theksoi se nëse një ditë do e bënte, as që do të kompleksohej.
Rrethi i ngushtë i familjes e di që dy fëmijët i kanë kërkuar disa herë Sali Berishës të tërhiqet nga politika aktive dhe të dorëzojë stafetën, ashtu siç e pranuan dhe mbështetën veprimin e të atit një dekadë më parë, kur Partia Demokratike humbi zgjedhjet me të ashtuquajturat “1 milion shuplaka”.
A do të jetë Argita Berisha pasuese e të atit?! Një ndër juristet më të mira në vend dhe avokatja e Partisë Demokratike ka lënë një derë të hapur në daljen e saj televizive te Grida Duma.
Gruaja që gjatë tre dekadave të Shqipërisë postkomuniste ka ruajtur një profil të ulët, edhe kur babai i saj ka drejtuar vendin në më shumë se gjysmën e këtyre viteve, zgjodhi të shfaqej në publik në një moment të vështirë për të dhe familjen.
Argita Malltezi ruajti qetësinë përballë pyetje të analistëve, argumentet bindëse i “peshoi” mirë dhe ndoqi një arsyetim ligjor shterues gjatë gjithë emisionit, duke krijuar te opinioni publik imazhin e një gruaje të përgatitur dhe me karakter të fortë, qartësisht trashëguar nga i ati.
Vajza e ish-kryeministrit ka arritur të projektohet te demokratët dhe qytetarët që e kanë ndjekur mbrëmë si drejtuesja e ardhshme e Partisë Demokratike.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë Sali Berisha, nëse Argita Malltezi do të jetë vërtet oferta e tij për demokratët dhe shqiptarët, siç bëri vite më parë kur promovoi Lulzim Bashën në krye të PD, apo lideri i demokratëve do ta shtyjë edhe për disa vite dorëzimin e stafetës te fëmijët.
Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, vajza e ish-kryeministrit Berisha dhe bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, vijon të jetë pas gati 20 orësh një ndër njerëzit më të komentuar në rrjet, për vetëpërmbajtjen dhe reagimin në rrethana presioni, artikulimin, përgatitjen dhe kulturën e lartë të komunikimit./Newsbomb