Berisha si “kalë troje”, u hapi dritaren deputetëve të Opozitës / Çfarë ndodhi në Kryesinë e Kuvendit

Ambjentet e jashtme të Kryesisë së Kuvendit ditën e sotme u shoqëruan me përplasje mes deputetëve të Opozitës dhe gardës së Republikës.

Kjo erdhi pas vendimit me vota të socialistëve për të përjashtuar për disa ditë nga punimet parlamentare anëtarët e opozitës. Vendimi që u mor në Komisionin e Etikës, nxehu më shumë deputetët demokratë, duke bërë që disa prej tyre të ngjiteshin nga kangjellat e hekurit.

I pari ishte deputeti Flamur Noka, i cili kapërceu kangjellat dhe iu bashkua Berishës në oborrin e kryesisë.

Kjo situatë vijoi për disa minuta, derisa garda lejoi kalimin e deputetëve demokratë ndaj të cilëve s’ka masë ndaluese për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Revoltimi opozitar nuk u ndal me kaq, pasi pak më vonë deputetët u panë duke u ngjitur nga dritarja e kryesisë, që e kishte daljen në rrugën “Ismail Qemali”, të hapur nga Berisha.

Bledion Nallbati, Flamur Noka, Saimri Korreshi, Lefter Geshtenja, Xhelal Mziu dhe Dashnor Sula ishin disa nga ligjvënësit që hynë brenda ambienteve të ndihmuar nga një karrige, duke u ngjitur nga dritarja pasi Garda u mbylli portën kryesore.

Po nga kjo dritare Berisha foli edhe për mediat, me gazetarët që zgjasnin mikrofonët nga rruga.

“Ky është parlamenti i Edi Ramës. Ky është parlamenti i Spiro Kolekës. Ky është parlamenti i një organizate kriminale të strukturuar. Shikoni çfarë ndodh, deputetët nuk lejohen të vijnë në zyrën e tyre. Ky është një akt i shëmtuar, ky është një akt i pashembullt në historinë 32-vjeçare të pluralizmit. Ky akt tregon tmerrin e Edi Ramës, tmerrin e organizatës së tij kriminale. Deputetët nuk mund të ndalohen në zyrat e tyre. Deputetët nuk mund të ndalohen të mblidhen në grupin e tyre. Kjo që bën Edi Rama, është akti më i shëmtuar, më i paprecedent. Të kërkon kohën kur dajo i tij kërkonte të fuste tanket dhe ushtrinë në protestën e studentëve. Kjo është fytyra më e turpshme e këtij institucioni, që në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, mbron interesat kriminale të Edi Ramës dhe bandës së tij. Ju nuk mund të bllokoni deputetët të shkojnë në zyrat e tyre. Ky Kuvend kaloi në klandestinitet”, tha Berisha.

Gazment Bardhi, pasi u lejuan kolegët demokratë pa masë ndalimi të futen në ambientet e brendshme të kryesisë së Kuvendit, mbajti një prononcim për gazetarët.

Kreu i grupit parlamentar demokrat dënoi veprimet e gardës, duke u shprehur se masa e ndalimit dhënë nga “Etika” ndalon pjesëmarrjen në komisionet parlamentare dhe jo në mbledhjet e grupit.

Tensionet jashtë Kuvendit nuk ndaluan Partinë Socialiste të zhvillonte mbledhjen online.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat nisi në këtë formë, me prezencën virtuale të ligjvënësve socialistë.

Përveç komisionit të ekonomisë, në kalendarin e Kuvendit këtë të hënë parashikohet të zhvillohen edhe 4 komisione të tjera. Për to ende nuk ka një konfirmim nëse do të zhvillohen online, megjithatë gjasat janë që të kryhen në këtë formë, nëse deputetët e PD do të vijojnë të qëndrojnë në ambientet e kryesisë.

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, që po zhvillohej u ndërpre. Vendimi u mor nga kryetarja e komisionit Klotilda Bushka pasi deputetë demokratë mësynë në sallën ku po mbahej ky komision.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT