Tymuese, karrige të përmbysura dhe zhurmë! 20 minuta “luftë” në Parlament, çfarë ndodhi sot?

Eenjte, 9 nëntor 2023, në Kuvendin e Shqipërisë u përmbysën karriget, u hodhën tymuese, u bllokua foltorja dhe u mbajt një seancë parlamentare në kushte “të jashtëzakonshme”.

Kjo ishte panorama e paradites në vendin tonë, teksa opozita sërish ka prishur rendin e ditës së seancës plenare duke mos e lënë të ketë një mbarvajtje normale.

Ndërkohë që po diskutoheshin disa ndryshime të propozuara nga vetë opozita, një prej deputetëve ka ndezuar dy tymuese të bardha duke bërë kështu që të pranishmit të mos shihnin dhe të kishin vështirësi në të folur apo dëgjuar.

Nga ana tjetër ish-kryeministri njëherësh deputet i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hapur një video live në llogarinë e tij zyrtare në rrjetet sociale dhe filmonte deputetët e mazhorancës.

Për të qeshur apo për të qarë?

Në këto kushte aspak normale, me prezencë të lartë të Gardës së Republikës seanca ka zgjatur 20 minuta, teksa ishte e pamundur të vijohej më tej.

Nga ana tjetër në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit ishin për diskutim një sërë çështjesh. Ndër to janë projektligji për Kodin Penal, projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për prokurorimin publik etj.

Teksa flakadanët e vendosur nga deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi përkeqësuan më tej situatën, ato sipas Taulant Ballës janë një vepër penale, ndërkohë që Lindita Nikolla e ka përjashtuar menjëherë nga seanca.

“Ju përjashtoj, lironi sallën zoti Korreshi. Garda ju lutem hiqni flakadanët!”, tha Nikolla.

Pas përfundmit të seancës ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se do të vazhdojë mosbindja civile e parlamentarëve të opozitës pasi i janë mohuar të drejtat kushtetuese.

“Ky është funksionimi i parlamentit të Edi Ramës dhe Lindës së tij në parlament. Ky është turpi i Shqipërisë, Europës dhe çdo vendi të lirë. Përsëri kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Përsëri mbrojnë pasuritë e tyre të vjedhura me pushtetin e Edi Ramës, përsëri mbrojnë Edi Ramën, përsëri vazhdon kolapsi i plotë dhe asgjësimi i pluralizmit në parlament. Qytetarë dhe qytetare, ne vazhdojmë me vendosmëri, por kërkojmë solidaritetin tuaj, mbështetjen tuaj vendimtare për triumfin e pluralizmit, demokracisë, për largimin e narkoditaturës nga Shqipëria.

Kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi të drejtat kushtetuese. Ne do luftojnë në parlament deri në rikthimin e të drejtave tona. Gjersa të krijohen komisionet parlamentare, derisa Rama, të paraqitet. Ka Kushtetutë para ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem i një vendi”, tha Berisha mes të tjerash.

Megjithatë në mes të kaosit, mazhoranca rrëzoi me 75 vota kundër 6 projektligjet e Partisë Demokratike.

Duke u kollitur deri në momentet e fundit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e mbylli seancën pas rreth 20 minutash, sepse ishte e pamundur për të vijuar më tej normalisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT