“Gogoli i politikës shqiptare”, Kadilli: Shqiptarët kanë më shumë frikë nga Berisha se nga Rama

Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli thotë se ish kryeministri Sali Berisha nuk mund ta pengojë drejtësinë që të bëjë punën e saj.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kadilli u shpreh se Berisha gjithmonë i është shmangur drejtësisë dhe është mbrojtur nën flamurin e Partisë Demokratike.
Si qëndrime, PD zyrtare ka pasur qëndrime korrekte, por inekzistente. Politika nuk mjaftohet me qëndrime, por duhet sjellje. Sjellja e PD së Bashës, është inekzistente, e papranueshme. Çdokush që i është afruar Berishës, në atë mbledhje vonohet qëllimsht që të tregojë që është ai kryetari. Qëndrimet e tyre janë radikale, sjellja e tyre është guerrilase. E ardhmja e tyre është rrudhje dhe tkurrje. Zoti Berisha nuk mund të bëjë më parti të madhe politike.
Berisha gjithmonë i është shmangur drejtësisë, është mbrojtur në kurriz të Partisë Demokratike. Kjo është një padrejtësi e madhe që i ka bërë Partisë Demokratike. Kjo nuk bëhet nën flamurin e Partisë Demorkatike. Nuk po akuzoj zotin Malltezi, e vendos drejtësia.
Nuk mund t’i fshihesh në një moment drejtësisë. Zoti Berisha duhet të ballafaqohet me drejtësinë si çdo njeri. Nuk ia fal dot që mbrohet nën flamurin e Partisë Demokratike. Shqiptarët kanë më shumë frikë nga zoti Berisha se nga zoti Rama. Ky është gogoli i politikës shqiptare, i dyti Rama, i treti Meta, i katërti ndoshta Basha”, theksoi ai.