U ekzekutua në mes të Ekuadorit/ Kush është emri i trafikantit tjetër që del në përgjimet “Breçani”

Emri i Ergys Dashit, shqiptarit me origjinë nga qyteti i Durrësit që u ekzekutuar në një atentat mafioz në zemër të Guayaquilit të Ekudorit më 23 Janar, është zbuluar në përgjimet e dosjes hetimore të SPAK ku u godit grupi i organizuar kriminal kriminal, pas zbërthimit të aplikacionit në Sky ECC.
Ergys Dashi ka qenë i përfshirë në trafikun e kokainës, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga ekzekutuesi dhe porositësi i vrasjes së tij, ku mbeti e plagosur dhe një grua.
Mbrëmjen e djeshme u zbardh dosja, ku mësohet se anëtarët e grupit kriminal që u godit dy ditë më parë nga SPAK, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani diskutojnë për Ergys Dashin.
Nga bisedat e tyre që lidhen me një transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos ai iu bën ndonjë lojë.
“Më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil”, thuhet në dosje.