As Dita e Flamurit nuk bashkon politikën shqiptare! Berisha akuza Ramës: Tradhtar i kombit

Politika shqiptare ka qenë e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, teksa ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë i vetëm homazhet në varrin e Ismail Qemalit në Vlorë.

Kreu i qeverisë Edi Rama ndoqi së bashku me homologun e tij Albin Kurti ceremoninë simbolike të ngritjes së flamurit në Vlorë, e po ashtu homazhet në varrin e Ismail Qemalit. Për këtë ceremoni, Berisha tha se nuk mori ftesë nga Rama, por shtoi se edhe po të kishte, nuk do e pranonte kurrë.

Edhe pse ditë feste, Berisha nuk i harroi akuzat e tij, teksa e cilësoi  Ramën si një tradhtar të kombit, ndërsa shtoi se “shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin”.

 “Shqiptarët, kur një e treta e kombit në një hark kohor 8-vjeçar, ka braktisur Shqipërinë, janë në një diktaturë të egër, e cila po e shkreton Shqipërinë. Ndaj dhe kjo është një ditë që duhet t’i bashkojë shqiptarët, të betohen para Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të pavarësisë, se Shqipëria nuk do jetë më e sunduar nga Pashiqi apo vëllai i Vuçiçit siç e quajnë në Kosovë, apo argati i Beogradit, siç e kanë quajtur rëndom në Tiranë Edi Ramën.

Nuk kisha asnjë ftesë, pro edhe po të kisha ftesë, me Pashiqin te varri i Ismail Qemalit nuk do vija kurrë. Si mund të bashkohem bashkë me atë, i cili ndjek po atë linjë të viteve të fillimit të shekullit të ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve. Nuk ka bashkim me të, ka betejë pa kthim gjer në largimin e tij në Beograd. Sot, mbarë shqiptarët, kudo që janë, përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, ditë e të gjitha ditëve të kombit shqiptar. Me aktin e tij të një vizioni dhe kurajo të jashtëzakonshme, Ismail Bej Vlora, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë. Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur. Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin.

Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç. Gëzuar qytetarë dhe qytetare të Vlorës, gëzuar shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, këtë ditë të bekuar, këtë feste të të gjitha festave tona. Rroftë flamuri ynë, nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të pavarësisë”, tha Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT