Vetëm 16 vjeç/ Djali i liderit çeçen bëhet pjesë e ushtrisë ruse, dikur rrihte brutalisht të burgosurit

Djali i liderit çeçen Ramzan Kadyrov është emëruar si vëzhgues në një batalion të ri që është pjesë e forcave të ministrisë së Mbrojtjes ruse, duke i befasuar të gjithë.
Adam Kadyrov, i cili mbushi 16 vjeç javën e kaluar, u shfaq në një video në rrjetet sociale të publikuar nga Ramzan Kadyrov në shtator duke goditur me grushte dhe shkelma një të burgosur të akuzuar për djegien e Kuranit. Videoja nxiti reagimi të ashpra, teksa Ramzan Kadyrov, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, tha në atë kohë se ai ishte krenar për djalin e tij dhe e respektonte Adamin për arritjen e “idealeve të nderit, dinjitetit dhe mbrojtjes së besimit të tij për të rriturit”.
Adam Delimkhanov, i cili kryeson degën çeçene të Gardës Kombëtare ruse dhe është gjithashtu anëtar i parlamentit rus, tha të martën se i riu Kadyrov ishte emëruar kurator, ose vëzhgues i batalionit.
“Ky emërim ishte një rezultat i natyrshëm i shërbimeve të rëndësishme të Adamit në ruajtjen e vlerave fetare, familjare dhe kulturore të popullit tonë”, tha Delimkhanov, i cili konsiderohet zyrtari i dytë më i lartë i Çeçenisë pas Kadyrovit.