Raporti, nga deputetët tanë “memecë” e deri tek ata me bonus strehimi

Instituti i Studimeve politike publikoi raport-analizën me titull “Parlamenti në kohën e krizës”, duke mbërritur në përfundimin se kriza e dëmtoi parlamentin, por arriti të mbijetojë.
Në raport vjen me detaje performanca e të zgjedhurve nga populli për periudhën janar- korrik 2019.
Gjatë sesionit janar-korrik 2019 pati deputetë që nuk morën pjesë në asnjë nga votimet e akteve ligjore në seancat plenare, si dhe që nuk morën pjesë në asnjë mbledhje komisioni.
Gjithashtu Kryeministri nuk mori pjesë dhe për pasojë nuk votoi shumicën absolute të akteve ligjore të iniciuara nga qeveria në Parlament, si dhe nuk iu përgjigj një kërkese për interpelancë.
Raporti evidenton 23 deputetë, si përfitues të bonusit të strehimit të paguar nga shteti. Mes tyre jane Nard Ndoka ish-ministër shëndetësie dhe Senida Mesa ish zëvendëskryeministre.
Deputeti më efektiv në sesionet e shkuara parlamentare është kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla me 74 pikë pasuar nga Vasilika Hysi dhe demokrati Mylim Murrizi. Ndërsa nga deputetët e opozitës së re më aktivi është Ralf Gjoni i LSI.
Aktiviteti i dy deputetëve Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari gjatë sesionit të fundit parlamentar vjen në kontrast të thellë me aktivitetin e tyre të mëparshëm parlamentar.
Në listën e 10 deputetëve më pak aktivë në parlament, për pasojë, edhe me treguesit më minimalë të efikasitetit bëjnë pjesë së paku pesë biznesmenë të njohur, si dhe së paku katër prurje politike që nuk kanë lidhje organike me partitë e tyre politike dhe as me jetën parlamentare.
Krahas listës së deputetëve më aktivë në debatet parlamentare, merr vlerë edhe lista e deputetëve më pak aktivë dhe konkretisht, lista e deputetëve që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim në 24 seancat plenare ku kanë marrë pjesë plotësisht apo pjesërisht.
Deputetët e heshtur janë Tom Doshi e Lefter Koka, Ylli Shehu , Anduel Xhindi e Andrea Marto, si dhe “prurjet” e reja të PS më 2017, deputetët Rrahman Rraja e Ilir Ndraxhi dhe Gjetan Gjetani.