Këshilli i Ministrave në Itali ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë/ Ja sa do kushtojnë kampet e refugjatëve

Këshilli i Ministrave të Italisë ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët që u firmos nga kryeministrat Meloni dhe Rama për emigrantët.

“Palazzo Chigi  ka dhënë miratimin e tij për projektligjin që ratifikon marrëveshjen e lidhur mes liderëve të dy vendeve. Protokolli i prezantuar nga dy krerët e qeverive, Giorgia Meloni dhe Edi Rama, parashikon krijimin e strukturave në Shqipëri për të mirëpritur emigrantët që kanë zbarkuar në brigjet tona. Projektligji përcakton mbulimin financiar dhe rregullat e para të zbatimit të planit”, shkruajnë mediat italiane.

Ratifikimi i Protokollit ndërmjet dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e migracionit, mori dritën jeshile në mbledhjen e ekzekutivit italian pasditen e të martës.

Ndërkohë ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha se kostot e marrëveshjes janë më pak se 200 milionë euro dhe fondet do të shpenzohen efektivisht për të luftuar emigracionin e parregullt.

“Kostot vjetore të marrëveshjes janë më pak se 200 milionë dhe do të shpenzohen mirë për të përballuar luftën kundër emigracionit të parregullt dhe janë shumë më pak se ato të sekuestruara nga Policia Financiare për keqpërdorim të superbonusit”, tha Tajani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT