Inceneratori i Tiranës: Klodian Zoto dinte “sekretet” para shpalljes së koncesionit, këshilltari i Kokës e informonte me email. Njihte komisionin pa u zgjedhur

Klodian Zoto është mbajtur i informuar përgjatë gjithë kohës që ishte në pritje për të marrë me koncension inceneratorin e Tiranës nga kompania e tij. Në dosjen e vendimit të firmosur nga gjyqtarja Irena Gjoka dhe siguruar nga Report Tv, shkruhet se në datën 3 mars 2016, ministria e Mjedisit, që drejtohej në atë kohë nga Lefter Koka, i dërgon një email bashkisë së Tiranës si kthim përgjigje që konfirmon se midis stafeve teknike të dy institucioneve është arritur në përfundimin që procedura të vazhdohet nga Ministria e Mjedisit duke propozuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës.

Megjithatë, 1 ditë para, pra në datën 2 mars 2016, në lidhje me përgjigjen e ministrisë , është vënë në dijeni Klodian Zoto, aksionar i “Integrated Technology Services” sh.p.k. Në dosjen e SPAK thuhet se kjo është dokumentuar nga të dhënat e përftuara në kompjuterin e sekuestruar në banesën e Klodian Zotos më 14 dhjetor 2021. Zotos i është dërguar një email nga ish-këshilltari i jashtëm i Lefter Kokës, Vladimir Bezhani, i cili njëkohësisht rezulton i punësuar në kompaninë e Klodian Zotos, pa shkuar asnjë herë në punë dhe duke 800 mijë lekë në muaj. Më herët, më 19 shkurt 2016, Bezhani i ka nisur një tjetër email Zotos, përmes së cilit i dërgon master planin e menaxhimit të mbetjeve në Tiranë.

“Po të dërgoj Master Planin për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta Urbane të Tiranës, hartuar nga JICA (Japonezët). Është një material tepër i plotë, që do të na shërbej edhe për studimin e fizibilitetit përfundimtar, pavarësisht opsionit që do të përzgjidhet. Ladi”.

Në vijim, në datën 5 shtator 2016, me urdhër të Lefter Kokës është ngritur komisioni për dhënien e koncensionit të inceneratorit të Tiranës, i cili kryetare kishte Valbona Ballgjinin dhe anëtar: Pëllumb Abeshin, Erjon Muratajn, Sidita Temalin, Etleva Kondin, Taulant Tushën dhe Namik Simixhiun.

Megjithatë, përpara 5 shtatorit, konkretisht 3 ditë me herët, kur komisioni akoma nuk ishte formuar, Klodian Zoto i ka nisur në emailin privat Ballgjinit dokumentacionin e kërkuar nga ministria e Mjedisit në lidhje me koncensionin, kur në fakt akoma ajo nuk ishte emëruar si anëtare apo kryetare e komisionit.

Pra, Klodian Zoto ka qenë në dijeni të përbërjes së komisionit të dhënies së koncensonit ende pa u shpallur zyrtarisht.

Në të njëjtën ditë emaili nga Zoto i ka shkuar edhe ish-drejtoreshës në drejtorinë juridike te “Mjedisi”, Alba Thoma, e cila pasi është marrë në pyetje nga SPAK ka deklaruar se e ka orientuar sekretari i përgjithshëm i ministrisë në atë kohë, Alqi Bllako, që t’i siguronte informacione të nevojshme që i nevojiteshin për të konceptuar shkresat.

Emrin e Alqi Bllakos e përmendi kur u mor në pyetje edhe Valbona Ballgjini, sipas të cilës ai i kishte thënë se disa dokumente do t’i vijnë nga një përfaqësues i shoqërisë propozuese dhe më pas ia ka dorëzuar vetë Bllakos.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT