“I besoj Vuçiç”/ Daçiç fushatë elektorale me Kosovën: S’ka njohje e as pranim në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga Serbia.
Një një intervistë për mediat në Serbi, ai tha se shteti i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do ta lejojë që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Unë i besoj presidentit Vuçiç. Ai tha se e ka përjashtuar pëlqimin e tij nga këto dy gjëra, çdo njohje de facto apo de jure e Kosovës dhe pranimin e saj në Kombet e Bashkuara. Kjo është diçka për të cilën Serbia nuk është pajtuar. Kjo do të thotë që ne nuk e pranojmë atë pjesë me të cilën nuk ishim dakord. Do të punojmë në zbatimin e pjesës tjetër, por vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.
Daçiç duke folur për dakortësimin e Brukselit/Ohrit, theksoi se nuk do të pajtohet asnjëherë me humbjen e territorit.
“Patriotizmi nuk shpjegohet me asnjë plan. Patriotizmi është dashuri për atdheun. Patriotizëm është se ne do të udhëheqim një politikë të bashkuar, të pavarur dhe sovrane. Dhe politika e jashtme duhet të jetë në funksion të politikës së brendshme. Nga ana tjetër, vetë plani nuk është i rëndësishëm. Është e rëndësishme që ne të mos e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ky është thelbi i gjithë kësaj”, tha ai.
Po ashtu Daçiç gjatë kësaj interviste ka kritikuar ashpër qëndrimet e opozitës në lidhje me Kosovën. Kryediplomati serb ka potencuar se opozita serbe nuk e marrin parasysh interesin kombëtar dhe shtetëror serb.