Ftesa në Whatsapp dhe dieta shtesë, ISP: Si abuzojnë deputetët shqiptarë

Deputetët shqiptarë janë vënë shpesh në qendër të akuzave për abuzime, në shumë raste edhe duke qenë vetë në komisionet parlamentare ku hartohen ligje, e ku së paku zbatueshmëria e tyre duhet të ishte një detyrim për ta.

Instituti i Studimeve Politike, në raportin e fundit për periudhën Janar-Korrik 2019 mbi aktivitetin e Parlamentit, funksionimin, ata që ishin më pak, apo më shumë aktivë publikon edhe një prej problematikave të mbledhjeve të Komisioneve që ka qenë e mbetet diferenca ende e madhe midis standardeve që kërkon Rregullorja e Kuvendit për komisionet dhe vetë mbledhjet e Komisioneve.

Në raportet e një viti më parë, ISP pati raportuar raste të shumta të deklarimeve fiktive të pjesëmarrjes së deputetëve në komisione, duke dhënë emra, data dhe të detaje të sakta. Por edhe gjatë këtij sesioni parlamentar monitoruesit kanë konstatuar disa raste, kur ka pasur mbledhje komisionesh në të njëjtën orë dhe datë, dhe ku të njëjtët deputetët kanë marrë pjesë në dy komisione paralele në të njëjtën kohë.

Qartazi rezulton të jetë një tregues kritik i fiktivitetit në deklarime, pjesëmarrje dhe të vetë integritetit të punës në komisionet parlamentare.

Konkretisht, më 11.06.2019 i njëjti deputet (A.Dhima), figuron pjesëmarrës në dy mbledhje paralele që mbahen në të njëjtën orë dhe datë, përkatësisht në Komisionin për Ekonominë dhe Financën si dhe në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Po ashtu me 15 prill 2019 figuron se dy deputetë kanë qenë njëherësh pjesëmarrëse në dy mbledhje paralele komisionesh parlamentare, të cilat mbahen në të njëjtën datë, në të njëjtën orë dhe në mjedise të ndryshme parlamentare.

Në një rast tjetër, deputeti Bici figuron në të njëjtën orë dhe në të njëjtën datë pjesëmarrës në dy mbledhje të ndryshme komisionesh, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si dhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Të dhëna të tilla të pjesëmarrjes njëherësh në dy veprimtari paralele janë konstatuar edhe ne të paktën pesë raste të tjera gjatë muajve të fundit. Neni 32 i Rregullores përcakton detyrimin se Komisionet e Përhershme nuk mund të mblidhen gjatë kohës kur Kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare, përveçse me miratimin e Kryetarit të Kuvendit.

Në rastet e evidentuara nga ISP nuk ka të dhëna publike nëse ka pasur miratim të kryetarit, gjithashtu në dokumentacionin e mbledhjes nuk janë përfshirë të dhëna të tilla.

Konkretisht më 30 maj, në ora 10.00 është zhvilluar mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe në të njëjtën datë dhe orë kanë nisur punimet e seancës plenare në Kuvend. Dokumentet ilustruese janë marrë nga faqja e internetit e Kuvendit dhe konsiderohen dokumente zyrtare.

Gjithashtu ka patur raste debati në komisione, ku në devijim nga praktikat parlamentare  janë ftuar ose kanë shprehur interes për pjesëmarrje në debate të rëndësishme të komisioneve individë, të cilët komunikojnë me Kuvendin jo në rrugë institucionale, por përmes komunikimit personal, madje përmes medias sociale, me drejtues të Komisionit.

Një rast i tillë konstatohet dhe nga procesverbali i mbledhjes së datës 18 prill në Komisionin e Edukimit, ku drejtuesja e mbledhjes deklaron se ka marrë kërkesë “institucionale” përmes Whatsapp nga një person për t’u ftuar në seancë dëgjimore në Komision.

Pati gjithashtu raste kur monitoruesit e ISP konstatuan se në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, neni 27, pika 5, nuk u respektua detyrimi që “në çdo rast, rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare”.

Dhe sipas ligjit, deputetët paguhen me dieta plus për çdo pjesëmarrje ne komisione parlamentare.

Kjo ua shton jo pak të ardhurat mujore dhe sigurisht edhe më shumë, kur ka abuzime.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT