Miliarda në koncesionet për Shëndetësinë, por ende s’kemi… shtretër

Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët shtretërish spitalorë në raport me popullsinë.

Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti i Statistikave pak ditë më parë, përllogaritet se ka 3 shtretër në dispozicion për 1000 banorë, duke u renditur kështu e shtata për nga numri i ulët në Europë.

Krahasuar edhe me vendet e rajonit, Shqipëria ka një diferencë të dukshme. Në Malin e Zi, sipas të dhënave të Eurostat mbi numrin e shtretërve dhe të popullsisë, dhe përllogaritjeve të Monitor, ka rreth 3.9 shtretër për 1000 banorë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 4.4 dhe Serbia me 5.6.

Në kahun tjetër qëndron Gjermania. Në ekonominë më të madhe të Bashkimit Europian, të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se numri i shtretërve spitalorë për 1000 banorë është 8.1, duke mbajtur kështu rekordin në Europë.

Gjermania është një nga vendet që po vuan prej kohësh pasojat e plakjes së popullsisë, duke rritur edhe kërkesën për shërbime shëndetësore. Për këtë i nevojiten edhe më shumë kapacitete spitalore, por edhe burime humane.

Së fundmi, Gjermania është shndërruar si një magnet për mjekët e huaj, veçanërisht nga vendet e Lindjes, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Vendet e tjera me një numër të lartë shtretërish për 1000 banorë janë Austria me 7.5, e ndjekur nga Bullgaria me 7.2, Hungaria me 7 dhe Çekia me 6.9.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT