A do t’i hiqet imuniteti Berishës? Nis mbledhja e Këshillit të Mandateve, Gjokutaj ka një kërkesë të veçantë

Ka nisur rreth orës 12:00 mbledhja e Këshillit të Mandateve në Kryesinë e Kuvendit.

Ndërkohë që fjalën e ka marrë i pari avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, jashtë Kryesisë së Kuvendit po mbahet një protestë, me organizatore opozitën.

Gjokutaj në fjalën e tij ka kërkuar që kjo mbledhje në Kryesinë e Kuvendit të pezullohet deri në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e paraqitur nga deputetët.

Nga ana tjetër bëjmë me dije se mbledhja e Këshillit nisi në orarin zyrtar, për të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK-ut, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kujtojmë se Berishës i është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’ për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në mbledhje janë të pranishëm dhe prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

ÇFARË PRITET TË NDODHË?!
Berisha nuk ka pranuar që të marrë pjesë, ndërsa përfaqësohet nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, ndërsa vetë ndodhet jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku po mbahet protesta e opozitës. Sakaq, në daljet e tij për mediat, Berisha ka ftuar qytetarët dhe demokratët në protestë, ndërsa ka theksuar se ky tubim është thirrur nga opozita.

Ai ka pohuar se protesta nuk ka lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij. Pavarësisht vendimmarrjes së këshillit, ish-kryeministri është shprehur se do ta njohë vendimin e Parlamentit, cilido qoftë ai. Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do merret vetëm me votat e 5 socialistëve si dhe qëndrimi me votë i përfaqësuesit të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj.

Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë janë në gatishmëri dhe për mbarëvajtjen e tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta. Krahas protestës sot, opozita ka paralajmëruar edhe një tjetër tubim përpara Parlamentit të enjten.

Kujtojmë se 28 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike teksa e cilësojnë në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe një vendim të diktuar politikisht masën e dhënë nga SPAK-u ndaj Sali Berishës, iu drejtuan pak ditë më parë Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar togave të zeza pezullimin e masave shtrënguese ndaj ish-kryeministrit dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT