“Unë nuk kam firmosur gjë”/ Hetimi i SPAK, Berisha “justifikohet” para të rinjve të FRPD: Malltezi mori tokën e tij

Teksa në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbahet seanca për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe tek hetimi i nisur ndaj tij, duke përsëritur argumentin se gjithçka është një sulm politik.
Sipas Berishës, në të gjithë procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” nuk ka asnjë firmë të tijën, e ndër të tjera, u shpreh se dhëndri i tij mori vetëm atë që i takonte.
“Sot Edi Rama ka në mënyrë absolute, në mënyrën më të verbër, çdo pushtet. Ju jeni dëshmitarë, ndoshta keni ndjekur procesin e tij ndaj meje. Një proces pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë firmë të Sali Berishës në privatizimin e një kompleksi me qindra pronarë, njëri prej të cilëve ishte dhëndri im, Jamarbër Malltezi. Asnjë firmë. Një proces i filluar në vitin 1995, i përfunduar në vitin 2009 në përputhje me të gjitha ligjet e vendit.
Në këtë proces ka diçka shumë të veçantë, ky që ka marrë tokën e tij dhe është një i 500 mijti pronar që ka marrë trojet dhe ka marrë 400 metra nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë që qeveria, në përputhje me programin e saj, ua dorëzoi pronarëve legjitimë. Ky vihet në gjendje arresti.
Vetë Edi Rama, me firmën e tij, me 4 vendime qeverie, merr nga toka e kësaj familje, të cilët fisnikërisht e kishin dhuruar për shkollë komuniteti, 1500 metër katrorë tokë. Po si i merr? Me 4 firma. Ky që mori 400 metra nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës. Kurse ky tjetri, për të marrë 1500 metra, vendos 4 firma njëra pas tjetrës, dhe burgos këtë, njëlloj siç burgosën në vitin 1946, paraardhësit e tij”, tha Berisha.