Berisha në ‘dorë’ të Irena Gjokës, Gjikondi: Ish kryeministri do të sfidojë ligjin, përpiqet të zvarrisë procesin

Juristja Brizida Gjikondi thotë se ish kryeministri Sali Berisha po përpiqet të zvarrisë procesin ndaj tij, teksa të enjten, në orën 11:00, gjyqtarja Irena Gjoka do të shpallë vendimin nëse do e pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gjikondi u shpreh se Berisha do të sfidojë ligjin dhe se asnjëherë nuk i ka respektuar institucionet.
“Unë e kam thënë me shaka në studion tuaj që do të luajë domino me dhëndrin në shtëpi, por duke e njohur, Berisha është një nga personalitetet më të shëmtuara në mosrespektimin e institucioneve. Ai ka sulmuar çdo gjyqtar dhe çdo prokuror. Mendoj, nuk do çuditesha që të gjejë mënyra alternative për të gjetur mundësinë për të komunikuar. Avokatët e Berishës, po bëjnë gjënë më të shëmtuar dhe imorale, përpiqen ta zvarrisin dhe të fshihen në qorrsokake procedurash. Ata kanë kërkuar sërish përjashtimin e Irena Gjokës. Ata përpiqen të gjejnë shtigjet e shëmtuara.
Nuk e prisja kurrë që një personazh si Berisha, këtej del të bëjë të fortin, ketëj me hile, të çojë avokatët dhe të gjejë spica për ta zvarritur procesin. Jam e bindur se nesër gjykata do të shpallë vendimin, nuk jam e kënaqur nga integriteti i drejtësisë shqiptare, duhet të ishte më radikale. Jam e bindur që kjo do të ndodhë”, theksoi ajo./m.j