EMRAT + FOTOT/ Kush janë 3 hajdutët që po ndihmonin Dan Hutrën të arratisej nga burgu

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në burgun e Fierit, pasi i dënuari përjetë Dan Hutra, në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë, kishin thurur një plan për t’u arratisur ng burgu i Fierit.

Tre të përfshirët e tjerë në këtë ngjarje janë Martin Kapllani, Geraldo Veizaj dhe Fati Kovaçi, të tre të arrestuar për vjedhje. Ata ndodheshin në të njëjtën qeli me Hutrën, dhe kishin nisur të prisnin sgarën e dritares me mjete të improvizuara. Po ashtu, në dhomë u gjet edhe një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.

Pas ngjarjes, stafi i sigurisë ka kryer kontrolle të hollësishme të elementëve të sigurisë, në të gjithë burgun.

Dan Hutra u arrestua pas masakrës së 1 marsit të vitit 2023, kur ai ekzekutoi tre gra dhe plagosi tre të tjera. Atë ditë, Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, shitëse në një dyqan. Në dëshminë e saj, Gurakuqi ka deklaruar se e njihte Dan Hutrën pasi i shkonte dhe i kërkonte shpesh para.

Kësaj here ajo kishte refuzuar që t’i jepte para, e për pasojë ai e kishte plagosur me thikë. Më pas, me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra u nis drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe.

Vrasësi u fut brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe qëlloi me breshëri ndaj tyre. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë. Masakra vijoi edhe më tej.

Hutra, i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.

Faji i vetëm i Etlevës ishte se ishte motra e Vladimir Kurtit, ky i fundit vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.

Vladimir Kurti në një telefonatë nga qelia, tregoi asokohe se kishte pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën.

Pas disa orësh kërkime, Hutra arriti që të vihej në pranga dhe u dërgua në burgun e Fierit, aty ku sot tentoi “të fitonte” lirinë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT