“Kaloi afati i 100 ditëve, pse s’ka informacion për Martinajn?”/ Balla: Policia ka shumë të dhëna, por…

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbajti sot një konferencë me gazetarët e kronikës, ku paraqiti bilancet e vitit që lamë pas, dhe muajve që ai është në drejtim të këtij dikasteri.
Në mesin e shumë pyetjeve, Ballës i është drejtuar edhe pyetja për “mbretin e kumarit”, Ervis Martinaj.
Pyetja: Në 7 shtator, 2022, Kur Muhamet Rrumbullaku mori drejtimin e Policisë, kryeministri Edi Rama i kërkoi afat 100 ditë për të zbuluar fatin e Ervis Martianjt. Nga skadimi i këtij afati kanë kaluar 384 ditë, ndërkohë ju keni në krye të Ministrisë së Brendshme rreth 5 muaj. Pse autoritet nuk janë në gjendje të thonë të vërtetën dhe të sqarojnë opinionin se çfarë ka ndodhur me këtë shtetas të Shqipërisë?
Balla: Unë nuk hyj në debat në shifra me ty sepse je i vëmendshëm në numërimin e ditëve në rastin në fjalë. E kam marrë detyrën në 15 korrikun të vitit të kaluar, dhe kjo çështje ka qenë një prej çështjeve të para në detyrë. Mbetet një sfidë ende e pazgjidhur sa i takon referimit në Gjykatë. Policia ka shumë informacion për këtë çështje, por sa kohë që dokumentimi i plotë i saj kërkon ende kohë dhe angazhim nga ana e policisë, nuk do të bëj një informacion të plotë. Kur te kemi një pasqyrë të plotë të kësaj çështje, mezi pres që të dal para jush për të sqaruar publikun.