Turizmi po tenton të rritet, por sa mundësi akomodimi kemi sot?

Pak ditë më parë sipas statistikave qeveritare në Shqipëri u regjistrua “turisti i 1 miliontë” që kishte vendosur që pushimet t’i kalonte në jug të vendit.
Pavarësisht shout dhe vetëlëvdimit, dy sëmundje të pashërueshme të diletantizmit politik në Shqipëri, turizmi po tenton të rritet.
Po ashtu edhe numri i bizneseve që operojnë në këtë sektor.
Megjithatë, Shqipëria renditet e fundit në Europë dhe rajon për numrin e “shtretërve që ofrohen nga njësitë akomoduese”, bazuar në të dhënat që Eurostat dhe INSTAT ka publikuar për 2018.
Sipas këtyre të dhënave për vitin 2018 numërohen 38 mijë shtretër për njësitë akomoduese, shifër kjo më e ulëta në raport me vendet e BE-së, por edhe me vende fqinje si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.
Kështu, në Malin e Zi në 2018-n kishte 43 mijë shtretër që ofroheshin për akomodimin e turistëve, ndjekur nga Islanda dhe Malta me 45 mijë, Maqedonia e Veriut me 48 mijë.
Nuk po flasim për vendet me turizëm të hershëm.
Franca dhe Italia mbajnë rekord për numrin e strukturave akomoduese me përkatësisht 5 milionë e 112 mijë dhe 5 milionë e 107 mijë shtretër. Të ndjekur nga Anglia dhe Spanja, me 3.9 dhe 3.6 milionë shtretër.
Por edhe në Greqi e Kroaci, vendet ballkanike ku industria e turizmit është mjaft e zhvilluar, numri i shtretërve që ofrohet për turistët i kalon 1 milionë.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018, në gjithë vendin funksionuan 1.326 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra), dhe janë vënë në dispozicion rreth 17 mijë dhoma dhe rreth 38 mijë shtretër, apo rreth 13 mijë shtretër për banorë.
Sipas INSTAT 69% e shtretërve janë shfrytëzuar nga jo rezidentë. Ndërsa kapacitete maksimale janë shënuar gjatë muajit gusht.