KE raporton si kërcënim për lirinë e medias mbylljen e programeve

Këshilli i Europës ka raportuar si kërcënim për lirinë e medias në Shqipëri, mbylljen e dy programeve kritike ndaj qeverisë.

Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës për kërcënimet ndaj lirisë së medias  mbyllja e programeve “Të Paekspozuarit” dhe “Krasta/A Show” u raportua të enjten si kërcënim i nivelit të dytë.

Alarmi, i cili u publikua në seksionin “Media Freedom Alerts” i raportuar edhe nga EFJ (Federata Europiane e Gazetarëve) vë në dukje se “të dy programet e mbyllura ishin kritike ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama”.

Presidenti i kompanisë Irfan Hysenbelliu mohoi në një prononcim për BIRN t’i ishte bërë presion, ndërsa bordi i News 24 lëshoi një deklaratë ku i cilësoi raportimet për mbylljen e emisioneve si “të pabaza” dhe “të motivuara nga konkurenca” dhe segmente të politikës.

Vetëm gjatë këtij viti KE ka shënuar 5 kërcënime serioze për lirinë e medias në Shqipëri, përfshi rrahjen e një gazetari në Dibër nga policia dhe këmbënguljen e qeverisë për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”.

Mbyllja e dy emisioneve pasuan me një furtunë reagimesh në rrjetet sociale dhe shqetësime të reja për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri.

Ndërkohë, shqetësime në rritje i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur ndaj gazetarëve kritikë – dhe së fundmi për përpjekjet e tij për të miratuar një paketë ligjesh “për rregullimin e medias online” sipas tij.

I pyetur mbi pretendimet se qeveria qëndronte pas mbylljes së emisioneve kritike, zyra e shtypit e kryeministrit i konsideroi ato shpifje dhe imagjinatë të gazetarit dhe paralajmëroi padi të reja në gjykatë – shkruan Vladimir Karaj,redaktor i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, BIRN Albania.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT