“Kam bërë 5 vite burg”/ Ylli Pinari dëshmon në gjyqin për Gërdecin: Si u krijua linja për demontimin e armëve

Ylli Pinari, ish-drejtor i kompanisë “Meico” ka dëshmuar ditën e sotme sot në procesin gjyqësore ndaj Fatmir Mediut për çështjen “Gërdeci”.
Pinari, i shpallur fajtor në hetimin e parë për tragjedinë, rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henrin, përfaqësuesin e “SAC”, kompania që ishte e përfshirë në demontimin e armëve. Pinari dëshmoi se Patrik Henri kishte krijuar në Shqipëri kompaninë “Albademil” ku bashkëaksioner ishte Mihal Delijorgji.
“Meico nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me e-mail. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Për këtë çështje kam bërë 5 vite burg dhe kam pikëpyetjet e mia për këtë.”, tha Pinari.
Pinari u dënua më 13 shkurt 2013 nga Gjykata e Apelit e Tiranës me 15 vjet burg, teksa një pjesë të dënimit ai e kreu gjatë qëndrimit në burg dhe pjesën tjetër në masën e arrestit shtëpiak, që gjykata e Tiranës kishte caktuar gjatë hetimeve. Ai do të lirohej në vitin 2014 me kusht, pasi i kishin mbetur edhe 3 vite e 7 muaj për të vuajtur, për shkak se kishte përfituar ulje dënimi.
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ku në depon e demontimit të armëve në fashat, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 26 persona, e u plagosën 300 të tjerë.