Dy opinione: Pse vazhdojmë të marrim arratinë nga Shqipëria

Entela Resuli
Dom Gjergj Meta më pat thënë në një intervistë se problemet me të cilat përballen njerëzit sot janë kryesisht të dy llojeve: varfëri ekonomike dhe çorientim ekzistencial, apo shpirtëror.
Blerina Hamzallari, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale i thotë Dita-s se “ne po nuk gjejmë paqtim në tri elementë të domosdoshëm për dinjitetin njerëzor: meritokraci, standarde jetese dinjitoze dhe siguri për të ardhmen”.
Edlira Gjoni, eksperte komunikimi, shprehet se, “në Shqipëri ka shumë dëshpërim; ka klimë negative, helmuese. Kjo vjen së pari nga niveli shumë i lartë i papunësisë, por të mos fshihemi pas gishtit, vjen edhe nga niveli mjaft i lartë i mos-leximit, ndikimit nga interneti, nga kultura jonë e zvarritjes. Sipas Eurobarometrit, çdo vit Shqipëria renditet e para në rajon për përdorimin e rrjeteve sociale. Aty është vendi ku psikoza e depersonalizmit dhe vaniteti janë më të fortë se vetë dielli i gushtit”.

Studimet mbi emigracionin në Republikën e Shqipërisë referojnë një sërë faktorësh nxitës. Ndër themelet e proceseve migruese vazhdon të jetë faktori klasik ekonomik i bashkëshoqëruar me një sërë faktorësh politikë, arsimorë, socio-kulturorë,etj.
Është e rëndësishme të kuptohet që pavarësisht se arsyet për emigrim duket sikur nuk kanë ndryshuar, kuptimi mbi to ka ndryshuar shumë. Shqiptarët nuk ikin për të siguruar minimumin jetik në vendet e destinacionit emigrues, por për të ndryshuar standardin e ofertës ekonomike, socio-kulturore, arsimore, shëndetësore,politike (barazia para ligjit, meritokracia, liria jo thjesht për t’u shprehur, por për t’u dëgjuar) ndryshe nga vendi i origjinës.
Në këtë tranzicion të pafund shqiptarët kanë etalone të reja për analizë dhe reflektim ndaj çfarë ata duan, kur e duan, dhe të punojnë qoftë edhe individualisht për t’a patur. Shqiptarët nuk duan të ikin nga “marrëzia” e ikjes, janë një popull që e njohin emigrimin qysh hershëm dhe kjo i bën ata racionalë në zgjedhjen e tyre për të ikur.
Emigrimi i sotëm nuk është mungesë dëshire për të qëndruar në vendin tonë, as pamundësi për të siguruar të ardhura për të jetuar në vendin tonë, fakti që studimet referojnë se ata që paguhen krahasimisht mirë synojnë të largohen do të thotë që minimalisht ne nuk gjejmë paqtim në përgjithësi me tri elementë të domosdoshëm për dinjitetin njerëzor: meritokraci, standarde jetese dinjitoze dhe siguri për të ardhmen.
-Ky dëshpërim masiv, mos është pak edhe ngjitës…?
Sikundër dhe më sipër u përpoqa që shkurtimisht të analizoj, mendoj se emigrantët e sotëm shqiptarë nuk janë të dëshpëruar, por janë racionalë në projeksionet e tyre për të ardhmen, janë kërkues ndaj vetes dhe duan të minimizojnë kushtëzimet në raport me të drejtat, për më tepër zgjedhjet e tyre janë projeksion afatgjatë i të ardhmes së fëmijëve të tyre.
Pra fjalën dëshpërim masiv do ta zëvendësoja me siguri me fjalën keqardhje, që shpreh qartësisht ndjenjën e çdo kujt që vendos të largohet.
-Sa ndikon politika në këtë pikë, duke patur parasysh se ajo ka një rol të rëndësishëm në vend, por nga ana tjetër edhe ne jemi një popull që konsumojmë shumë politikë?
Politika është instrument për arritjen e qëllimit. Edhe në rastin e emigracionit, politikëbërësit duhet të reflektojnë në forma të veprimit aktiv real dhe jo publicitar.
Kjo, për të ndërhyrë efektivisht në përmirësimin e kushteve që nxisin flukset emigratore. Politika nuk është përralla e çdo mbrëmjeje në ekrane, por realiteti i çdo mëngjesi.
***

-Edlira, ju shqetësojnë shifrat e largimit të shqiptarëve, apo e dëshirës së tyre për të ikur nga ky vend?
Duhen parë arsyet. Emigrimi në botë ndahet në 9 kategori mes të cilave, largimet nga lufta, ato për arsye ekonomikë, për bashkim familjar, për studime, për biznes, për karrierë apo edhe largime të detyruara nga faktorë të fortë politikë apo ushtarakë në një vend.
Shqipëria nuk është në luftë. As nuk jemi nën gjenocid. E megjithatë, shifra e largimeve është alarmante. Kurse shifra e atyre që duan të gjejnë patjetër mundësinë që të ikin, është tragjike (79 %, sipas sondazhit të kryer vitin e kaluar nga Gallup). Përtej përpjekjeve për ta normalizuar këtë fenomen duhen parë arsyet e vërteta përse duan shqiptarët të ikin, veçanërisht të rinjtë.
E para është mungesa e punës. Batutat politike për punë e profesionistë janë të bukura, por ama nuk sjellin vende të reja pune. Mungesa e investimeve të huaja është lënguese. Meritokracia është vetëm koncept retorik. Sipas një studimi rajonal të bërë nga Banka Botërore në vitin 2017, 60% e të rinjve shqiptarë nuk gjejnë dot punë në profesionin e tyre pas diplomimit, kurse në shkallë vendi, papunësia si për ata me diplomë universitare, si për ata me arsim të mesëm, ngelet mjaft e lartë. Kjo e bën dëshpëruese jetesën e një familje që sheh djalin apo vajzën pa mundësi punësimi e pa të ardhura në fund të muajit.
Tregu është i parregulluar dhe për shkak të kaosit në standardet e tij, është përforcuar edhe miti i punës në sektorin publik.
Të gjitha këto sjellin deformime, pritje të gjata, zhgënjime, ulje energjish e një mpirje totale të rinisë, që e sheh zgjidhjen e vetme jashtë vendit.
Por lajmi i keq është se nga Shqipëria duan të largohen edhe familjet e reja që mund të jenë të punësuar e me standard të mesëm jetese…
Largimi i tyre bëhet për arsye të tjera, të lidhura me mirëqenien sociale, dinjitetin që këtu e ndjejnë të prekur, largimin nga vulgarizimi dhe dëshira për të jetuar në mjedis tjetër kulturor apo arsimor, me më shumë mundësi për veten dhe për fëmijët e tyre. Këtë e bëjnë në përgjithësi familjet që nuk kanë pasur ndonjëherë poste të larta politike apo mundësi përfitimesh brenda natës, pra familjet e thjeshta e të respektuara shqiptare.
-Po në fakt shoqëritë janë gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë, kudo lëvizin, pse ne duhet t’i marrim si shqetësuese këto shifra?
Edhe mund ta bëjmë krahasimin me vendet e tjera, nga ku kanë ikur më shumë emigrantë sesa Shqipëria, por do të na ngecte krahasimi në fyt. Polonia për shembull, me futjen e saj në BE në vitin 2004, pa fluksin më masiv të largimeve drejt perëndimit. 4 milionë polakë lanë vendin brenda muajve të parë të lëvizjes së lirë.
Ama, ndryshimi është që Polonia bëri një studimi të vetes, studimit ekonomik dhe bëri ndryshimet e kërkuara. Së pari, liroi politikat migratore për vendet e lindjes dhe brenda dy vitesh, 4 milionë ukrainas, bjellorusë e të tjerë, u bënë emigrantë ligjorë dhe mbushën boshllëkun e lënë nga të larguarit.
Së dyti, u hartua strategjia më efektive ekonomik e ish-vendeve të lindjes dhe në vetëm 8 vjet, Polonia e rriti GDP-në me 83%. Sot që ne analizojmë, polakët kanë filluar të kthehen, sepse në vend kanë shkuar për investim kompanitë më të mëdha gjermane e daneze.
Pra ja që krahasimi me vendet e tjera nuk qëndron, sepse ato bëjnë studime e marrin masa ekonomike e zhvillimore, kurse Shqipëria, i vetmi hap që ndërmerr është të mohojë problemin me çdo kusht.