VIDEO/ Bllokohet qarkullimi në Qafë Thanë! Automjetet presin mes të ftohtit në radhë kilometrike

Krahas veriut, i cili ka mbetur ‘i paralizuar’ nga stuhitë e dëborës, moti i keq ka krijuar problematika edhe në juglindje të vendit.
Raportohet se reshjet me intensitet të lartë të dëborës dhe ngricat kanë bllokuar qarkullimin në aksin Prrenjas-Qafë Thanë. Top Channel ka siguruar pamjet ku shihen radhë kilometrike të mjeteve, ndërkohë që është bllokuar lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.
Për shkak të reshjeve intensive të dëborës që kanë përfshirë të gjithë qarkun e Korçës, raportohet se për mirëmbajtjen e rrugëve, në terren janë janë 21 borëpastruese, 8 fadroma, 11 kamionçina dhe 7 kamiona, të cilat po operojnë kryesisht në akset Qafë Thanë- Pogradec- Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, Leskovik-Çarshovë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, K/Zëmblak-Doganë- Goricë, Maliq-Lozhan-Moglicë, Podgorie-K/Zvezdë dhe Bilisht-Miras.
Po ashtu, mësohet se nga bashkitë po punohet për rrugët dytësore, lidhëse dhe qendrat e qyteteve.
Ndërsa në Njësitë Administrative të Pogradecit si Dardhas, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në njësinë administrative Proptisht ka probleme të vazhdueshme me energjinë, ndërsa akset janë të kalueshme me zinxhirë. Njësia Administrative Trebinjë raportohet të jetë e bllokuar dhe e pamundur për automjetet.