“Berisha votoi SPAK tani e sulmon, me kë tallet?”, Ngjela: Për 21 Janarin të pyetet edhe Berisha e Basha

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar sulmet e Sali Berishës ndaj SPAK duke i quajtur grup i strukturuar kriminal, pasi e morën në pyetje lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani.
“Berisha nuk respekton shtetin. SPAK është organ kushtetues. Kushtetuta ka dalë me 140 që do të thotë për SPAK ka votuar dhe Sali Berisha. Pse votoi?
Nuk ia mbante të dilte kundër. Kur ke votuar në parlament pse del e thua është kjo.. me popullin do tallesh apo me veten”, tha Ngjela në një intervistë për ‘Sot live në Shqipëri’ në Report Tv.
Sa i takon dosjes 21 janari, Ngjela tha: “Le të vazhdojë 21 janari se u vranë njerëz. Ishte turp historik për kombin shqiptar. U vranë persona të pafajshëm. Një provë e re hap gjyqin. U vranë nga shteti. Të dimë kush janë fajtorët . Të zbulohet e vërteta”.
A duhet të thirren ish kryeministri Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha?
“Natyrisht që do të merren. Sot në koshiencën shoqërore këta që përmendët quhen të fajshëm. Të shikojmë si do të dalë procesi gjyqësor në SPAK që është një gjykatë e pavarur e mbrojtur ndërkombëtarisht. Të shohim cfarë ka ndodhur”, shtoi Ngjela.