Mogherini: Do pendohemi nëse nuk sjellim Ballkanin në BE

Në fjalën e saj të fundit, në konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri në BE Federica Mogherini, u shpreh se ekziston interes i qartë për ta sjellë të gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian.
“Kemi interes të qartë ta sjellim të gjithë Ballkanin brenda bashkimit Evropian dhe të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe të komplikuar. Do të na duhet të zgjidhim shumë probleme, duhet angazhimi politik nga të gjitha palët, kurajo dhe lidership. Nga zgjerimi nuk do të përfitojë vetëm Ballkani por të gjithë ne, pasi edhe ne kemi nevojë për të. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerim por për unifikim të gjithë Evropës”. Mogherini theksoi se është koha të tregohemi të zgjuar dhe të ndërmarrim hapat e mëtejshëm drejt unifikimit të familjes sonë evropiane.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, jam e sigurt që do të pendohemi”-përfundoi ajo.