Kur u printua për herë të dytë… Ngjarja e papritur për Belerin në zyrat e SPAK që po ndryshon rrjedhën e hetimit

Kandidati për kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe u la më pas në masën e “arrestit me burg” nga Gjykata e Vlorës.
Kjo gjykatë përdori argumentin se i akuzuari paraqiste rrezikshmëri pasi “siç rezulton edhe nga aktet, ai është i dënuar më parë”.
Këtë të enjte u zhvillua seanca e radhës në Prokurorinë e Posaçme. Ku dolën disa detaje dhe një episod në zyrat e SPAK.
Bëhet fjalë për certifikatën e gjendjes gjyqësore, e cila do jetë tani kali i betejës i mbrojtjes, dhe mund të sjellë lirimin e tij nga qelia.
I thirrur si dëshmitar në proces, punonjësi i IT-së në Prokurorinë e Vlorës, Ledion Jonuzaj deklaroi të enjten se pas arrestimit të Belerit, prokurorja Matilda Peza i kishte kërkuar atij që të shkarkonte nga sistemi i gjendjes gjyqësore një certifikatë të gjendjes gjyqësore të Belerit.
Ai rezultoi “i dënuar”.
Por pasi ishte kallëzuar nga Beleri për falsifikim të certifikatës së tij të gjendjes gjyqësore, Jonuzaj u thirr në SPAK.
Në zyrat e SPAK, atij i ishte kërkuar që të printonte “live” një certifikatë të dytë të gjendjes gjyqësore të Belerit nga sistemi.
“Në dëshminë e dytë qē u printua rezultonte i padënuar,” deklaroi Jonuzaj para gjykatës.
Si ka mundësi?
Kur u pyet nga kryesuesi i trupit gjykues nëse certifikata e gjendjes gjyqësore mund të dilte ndryshe për të njëjtin individ, Jonuzaj u shpreh se duhej të pyesnin Drejtorinë e Burgjeve për të marrë përgjigje për këtë rrethanë.
Sistemi i Gjendjes Gjyqësore menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë dhe aksesohet nga prokuroritë mbi bazën e një memorandumi me Prokurorinë e Përgjithshme.
Fakt është që masa e sigurisë “arrest me burg” u bazua te certifikata ku rezulton i dënuar. Tashmë certifikata që nxjerr sistemi e nxjerr Belerin “të padënuar”.
Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka fajësoi sistemin online të gjendjes gjyqësore, i certifikuar sipas tij nga Ministria e Drejtësisë
Sipas Zarkës, kërkimet kryhen nga punonjësi IT-së dhe në kohën kur Belerit iu dha masa e sigurisë nga Gjykata e Vlorës, ai ka rezultuar i dënuar në sistem. “Ne nuk ndërhyjmë dot në sistem. Kemi akses vetëm që të shikojmë të dhënat dhe të printojmë,” tha Zarka në një bisedë telefonike.
Megjithatë, ai shtoi se dëshmia e penalitetit kishte qenë një argument shtesë për kërkimin e caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, por kryesore ishte mundësia e largimit dhe vijimi i blerjes së votave.
A ka qenë i dënuar Beleri?
Në vendimin e KQZ për verifikimin e të dhënave të formularit të vetëdeklarimit të Belerit, rezulton se ky i fundit i ka deklaruar dy dënimet e tij në vitin 1999 me 18 muaj burgim dhe në vitin 2006 me 3 vjet heqje lirie. Megjithatë, është lejuar të kandidojë për kryetar të Bashkisë Himarë.
Me sa duket sistemi të konsideron të padënuar pasi kanë kaluar disa vjet nga mbarimi i dënimit. Mungon opsioni “i dënuar, por i rehabilituar”.
Seanca e radhës u shty për më datë 1 shkurt, në orën 12:00.
Arrestimi i Belerit për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje nëntë muaj më parë dhe humbja e mundësisë për t’u betuar dhe për të marrë zyrtarisht mandatin e kryebashkiakut, është kthyer tashmë në problemin kryesor të marrëdhënieve me Greqinë dhe në pengesë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Në samitin e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt më 14 dhjetor në Bruksel, kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, përsëriti qëndrimin e prerë të Greqisë për çështjen “Beleri” dhe ndikimin që do të ketë vetoja e saj në hapjen e negociatave me BE-në.
Ndryshe nga pala greke, kryeministri Edi Rama e cilëson arrestimin e Belerit “një çështje të drejtësisë”.