Zgjedhjet e 14 majit 2023, kreu i KQZ: Pjesëmarrja më e ulët se në 2021, bilanc ‘më të keq’ kishte…

Komisioneri Ilirian Celibashi ka zhvilluar këtë të mërkurë një komunikim me gazetarët, lidhur me zgjedhjet e 14 majit 2023, duke nxjerrë statistikat për pjesëmarrjen në to.
Sipas kreut të KQZ, pjesëmarrja e përgjithshme në këto zgjedhje ka qenë 38.24%, ndërsa në ato të vitit 2021, pjesëmarrja totale ka qenë 46.32%.
Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë në votime ka qenë ajo e Fushë Arrëzit, ndërsa me pjesëmarrje më të ulët ka qenë bashkia Vlorë.
“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit 2023 ka qenë 38.24%, në krahasim me 46.32% në 2021. Më shumë pjesëmarrje në zgjedhje është bashkia e Fushë Arrëzit, dhe Vlora me pjesëmarrjen më të ulët”, u shpreh ai ndër të tjera.
Celibashi tha se është në dorë të partive politike, duke shtuar se KQZ ka hartuar një listë me pikat që mendojnë se kanë nevojë për ndryshime.
Kreu i KQZ shtoi se këto ndryshime duhet të bëhen 1 vit, ose në rastin më të keq, 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme.
“Nëse do duhet të bëhen ndryshime në ligjin zgjedhor, duhet të datojnë 1 ose në rast më ekstrem 6 muaj para zgjedhjeve. Nuk di të them çfarë impakti do të ketë lidhur me standardin Teknik nëse shkohet me këtë kod. Faktori politik dhe institucional kanë pranuar nevojë për ndryshme në kodin zgjedhor, të paktën në disa aspekte. Do të ishte mirë që partitë politike të angazhohen për realizimin e ndryshimeve sa më shpejt. Ne kemi bërë publike listën e çështjeve që mendojmë se duhet të adresojmë në kuadër të zgjedhores, ngelet në vlerësimin e kuvendit për adresimin ose jo të atyre çështjeve, që për ne konsiderohen problematike ose të nevojshme për t’u rikonsideruar”, tha Celibashi.
Sa i përket votës së emigrantëve, dhe se nëse mund të aplikohet me kodin aktual, ai tha se kjo nuk mund të ndodhë.
“I qëndroj të njëjtit arsyetim. Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas Kushtetuese, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ me këtë kuadër rregullator ligjor e Kushtetues, për të nxjerrë akte nënligjore që mund të mundësojnë votimin nga jashtë”, sqaroi ai.