Kosova: Nuk do lejojmë që Serbia të na prishë zgjedhjet

Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë përfaqësues shtetërorë të cilitdo shtet tjetër, që të vijë në Kosovë dhe të bëjë fushatë, në kohën kur vendi është në proces zgjedhor, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në dorëheqje. Këto reagime të zyrtarëve në Prishtinë vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve të caktuara të Beogradit se do ta vizitojnë Kosovën, në kohën kur kjo e fundit po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit në dorëheqje të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk do të japin leje për hyrje në vend për asnjë përfaqësues të vendeve tjera, e në veçanti të zyrtarëve të Serbisë, që synojnë të organizojnë fushatë në Kosovë.

Zyberaj u shpreh: “Absolutisht, asnjë përfaqësues shtetëror i cilitdo shtet tjetër, nuk mund të vijë dhe të bëjë fushatë këtu. Kjo është periudhë jashtëzakonisht e ndjeshme. Në këtë rast, paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se do të vijnë në Kosovë dhe të zhvillojnë fushatë zgjedhore, janë të pakuptueshme. Në fakt, janë të kuptueshme për ne, sepse ata e kanë tendencën e vazhdueshme tensionimin e situatës, krijimin e tensioneve të brendshme këtu. Por, institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjëherë që procesi zgjedhor të dëmtohet”.

Ai shtoi per ReL, se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të garantohet një proces zgjedhor i qetë, ku qytetarëve do t’iu garantohet votimi i lirë. Rrjedhimisht, sipas tij, qytetarët serbë nuk mund të jenë të shtrënguar në asnjë mënyrë dhe nga askush se si të votojnë dhe ata, siç tha ai, do të votojnë sipas vullnetit të vet.

Lidhur me paralajmërimet për një vizitë të mundshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Kosovë, në një të ardhme të afërt, Zyberaj është përgjigjur kështu:

“Gjatë kësaj kohe nuk do të lejohet asnjë person, i cili ka për qëllim tensionimin e situatës. Asnjë njeri i cili prapa vetes ka qëllime destabilizuese, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT