Deputeti gjerman: Një i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi edhe nga BE

Peter Beyer, deputeti i parlamentit gjerman nga radhët e partisë së kancelares Angela Merkel, tha të martën se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për integrim, ndërsa ritheksoi qëndrimin gjerman kundër ideve për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Një ditë pasi vizitoi Beogradin, ku u takua me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Beyer vizitoi Prishtinën, ku u takua me kryeministrin në largim Ramush Haradinaj.

Pas këtyre takimeve, deputeti gjerman u shpreh: “Së pari të presim rezultatet e zgjedhjeve, por pavarësisht këtyre qëndrimi i përgjithshëm është se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe është interes i Evropës por edhe Berlinit. Për atë arsye është shumë i rëndësishëm vazhdimi i biseidmeve me Serbinë dhe këtë porosi e shpalosa edhe gjatë qëndrimit tim në Serbi në takim me presidentin Aleksandër Vuçiç”.

Në lidhje me emërimin e Matthew Palmer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Beyer tha: “Zoti Palmer e njeh rajonin dhe tani është me të vërtetë një lajm i ri që ai u emërua si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin, mirëpo nuk e di se çfarë të mire do të sjell ky emërim. Por pavarësisht prej kësaj, jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet ta emëroj një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në aspektin konstruktiv dhe të sinqertë për të vazhduar procesin e bisedimeve“./ VoA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT