Mandati i Olta Xhaçkës/ Zaçaj: E paimagjinueshme të vësh në pikëpyetje vendimin e Kushtetueses!

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuse Holta Zaçaj ka folur para mediave ditën e sotme, në lidhje me vendimet e institucionit që ajo drejton.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vendimin për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Zaçaj deklaroi se vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe duhet të zbatohen, pasi nuk ka ekuivok ndaj tyre, duke shtuar se “kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen”.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe janë përfundimtare. Do të thotë që ato janë të zbatueshme.

Nuk ka ekuivok në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që janë përcaktuar si të tilla, kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen, vetë Kushtetuta nuk i ka dhënë gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme. Nuk do të komentoj më tej”, tha kryetarja e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi Kuvendin për Xhaçkën dhe pranoi padinë e grupit të Enkelejd Alibeajt duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos ta çuar në Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT