Shtyhet seanca për Gërdecin! Shkak, letër porosia e dërguar në SHBA, kush është dëshmitari që kërkohet

Është shtyrë seanca gjyqësore që pritej të mbahej sot në GJKKO, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 21 shkurt, teksa shkak për shtyrjen është bërë vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, për t’i hapur rrugë letër-porosisë të dërguar në SHBA. Në këtë letër-porosi, kërkohet gjetja dhe detyrimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, për t’u paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme e për të dëshmuar në lidhje me tragjedinë.
Gjithashtu mësohet se gykata urdhëri policinë të gjejë dëshmitaren Anjola Agolli, sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila do pyetet në lidhje me mbishkrimin “për Shkëlzen Berishën”, i gjetur në një nga shkresat. Gjykata ka kërkuar gjithashtu përsëritjen e marrjes në pyetje për Mihal Deljorgjin dhe Dritan Minxolli.
Më herët, ish-ministri Fatmir Mediu u paraqit në GJKKO, teksa për mediat tha se kishte pritur 16 vite që të merrej në pyetje nga Prokuroria, por askush nuk e kishte thirrur.