Përplasjet në parlament, 10 ditë përjashtim për Gazment Bardhin! Ndëshkimi për deputetët e tjerë

Komisioni i Etikës ka përjashtuar me 10 ditë deputetin Gazment Bardhi nga Kuvendi.
Vendimi ka ardhur pas kërkesës së Partisë Socialiste, për shkak të kaosit të krijuar në seancën e fundit plenare. Po ashtu, janë përjashtuar me nga 20 ditë deputetët Bledion Nallbatit, Asllan Dogjanit, Flamur Nokës dhe Gazmend Bardhit.
Deputetët e “Rithemelimit” krijuan kaos brenda dhe jashtë Kuvendit në seancën e të hënës, ku nuk munguan as skenat e dhunës. Gazment Bardhi, i tensionuar ka hyrë në sallë dhe i është drejtuar foltores dhe ulëseve të qeverisë, duke “bërtitur “Kush je ti” drejt kryeministrit Rama, teksa ka hedhur tutje edhe xhaketën e tij.
Deputetët e grupit Berisha-Bardhi kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga kaosi, ndërsa nga ana tjetër PS pas çdo seance të bllokuar kërkon përjashtimin e tyre.
Nga ana tjetër, Sekretariati i Etikës ka përjashtuar 19 deputetë të Partisë Demokratike pas trazirave që kishin shkaktuar në komisione parlamentare dhe Parlament në seancat e mëparshme. Deputetët e përjashtuar të PD nga Sekretariati i Etikës më datë 29 janar 2024 janë Ervin Salianji 20 ditë, Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi të përjashtuar me 10 ditë.