Mijëra euro të “hedhura”, vezë e miell/ Çfarë ndodhi sot në 20 minuta seancë plenare (VIDEO)

Njëzet minuta i mjaftuan socialistëve sot në parlament që të miratonin projektligjet e rendit të ditës.
Opozita, siç tashmë e ka kthyer në rutinë, pengoi zhvillimin normal të seacës në Kuvend me një sërë veprimesh.
Momentet e tensionit filluan që në hyrje të parlamentit ku punonjësit e Gardës u përplasën me ligjvënësit e përjashtuar demokratë. Këta të fundit nuk mund të hynin sipas vendimit të Sekretariatit të Etikës.
Në shenjë proteste, ishte Flamur Noka, i cili spërkati me miell gardistët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj. Madje ai me miell shtroi dhe disa viza duke simbolizuar sipas tij “narkoparlamentin dhe narkoregjimin”.
Por fantazitë nuk u ndalën këtu nga ana e deputetëve të opozitës, sepse ai që sa në sy ishte dhe Dashnor Sula. Në kostumin e tij kishte të stampuara kartëmonedha dhe logo të kompanive të basteve.
Sipas tij, një projektligj i tillë synon pastrimin e parave nga politikanët dhe grupet kriminale.
Sesioni i sotëm parlamentar ishte një fotokopje e atyre të ndodhura edhe më herët tashmë, me deputetët e opozitës që krijojnë kaos dhe punonjësit e gardës që përpiqen të shmangin ndonjë përplasje të mundshme në sallë.
Fishkëllimat dhe bilbilët pareshtur të opoziës, të shoqëruar me thirrjet “hajdutë” tentonin të ndërhynin në fjalën e kryetares së parlamentit, Lindita Nikolla, e cila njoftonte rendin e ditës.
Teksa një moment fjalën e mori deputeti Edi Paloka nga foltorja, ai u shpreh i vendosur se Parlament normal në kushte të tilla nuk do të kishte.
“Parlament normal harrojeni se kemi derisa të plotësohen të drejtat kushtetuese të opozitës. Ky që mendon sot se është i fortë se ka arrestuar Berishën dhe ka përjashtuar opozitën, ta ketë të qartë se nuk e di se kur por jam i sigurt se kur t’i vijë dita edhe ai era shur*ë do të bjerë. Edhe ju që i shkoni pas mendoni fundin që do t’i vijë,” tha Paloka.
Ky i fundit më pas i vuri flakën rregullores së Kuvendit, ndërsa Dashnor Sula hodhi imitim të kartëmonedhave mbi deputetët e mazhorancës.
Dy amendamente të grupit të Lulzim Bashës, i cili ishte prezent në Kuvend, u rrëzuan. Amendamentet parashikonin dhënien e një ndihme financiare për Kosovën për mbrojtjen dhe sigurinë. Projektligji për bastet sportive u tërhoq nga rendi i ditës me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, ndërsa u miratuan nga mazhoranca projektligjet e tjera në rendin e ditës.
Fundi i sesionit parlamentar nuk do të thoshte se edhe tensioneve i kishte ardhur fundi, pasi ato vazhduan dhe në dalje.
“Je tradhtar, je i pabesë, je i paburrë”, iu drejtua Flamur Noka – Lulzim Bashës, teksa ky i fundit doli nga ambientet e brendshme të Kuvendit.
Automjeti me të cilin po largohej ministri i Brendshëm Taulant Balla u godit me vezë, ashtu si edhe automjeti i Sekretarit të Kuvendit Genci Gjonçaj më pas.