“Vetëm ndihmoja qytetarët, punoj taksist”/ Çfarë deklaroi i riu që premtonte viza amerikane për 10 mijë euro

Është zbardhur dëshmia e dhënë nga Renato Nasto, i riu i cili akuzohet se falsifikonte formularët e aplikimit për viza amerikane.
Ai ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, teksa është shprehur se nuk ka kryer asnjë shkelje. Sipas tij, ai vetëm ndihmonte qytetarët që të bënin aplikimin për të përfituar vizën.
“Nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjit, kam ndihmuar qytetarët që të bënin aplikimin për vizë, ata të cilët nuk kishin mundësi t’i bënin vetë, me vlerë 100-150 Euro. Nuk janë të vërteta pretendimet e Prokurorisë. Aktualisht punoj edhe si taksist për të rritur të ardhurat e mia”, ka thënë ai para trupës gjykuese.
Nga ana tjetër, të arrestuarit e tjerë për këtë ngjarje, kanë kërkuar ndjesë.
Në seancë, organi i akuzës ka pretenduar se me metoda speciale, përmes stimulimit, 30-vjeçari Nasto për vizën kërkonte 10 mijë euro. Në rast se ata nuk i kishin paratë, lidhte një kontatë me ta që pagesën ta bënin më vonë, duke pretenduar që ia kishin borxh.
Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë të dhëna në mungesë; “arrest në burg” për Renato Naston, Klaudio Leçinin, Klaus Kapedanin dhe Xhemal Seserin, ndërsa për Klea Priftin “arrest në shtëpi”.
Mbi 6 anëtarët e këtij grupi, njëri prej të cilëve është në kërkim, rëndon 3 akuza për “Mashtrim”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.